
Propozimet për shkarkim të Bledi Çuçit dhe emërim të Taulant Ballës në postin e ministrit të ri të Brendshëm, pas zhvillimit të ngjarjeve, dhunës së fisit Rraja ndaj kushërinjve Maja për guroren në Krujë, u përcoll me reagime nga më të ndryshmet. Gazetari Xhevair Zhabina, në vlerësimin e tij, në MCN live, tha se për shkarkimin e ministrit Çuçi, ndikoi edhe çështja e kanabisit, për të cilën ai nuk ja doli të luftoi. Sipas Zhabinës, ministri i Brendshëm, nuk njihej për protagonizmin e tij dhe duket se shkarkimi i tij ishte më pak i dëmshëm, në krahasim me drejtorin e Policisë, lidhur me dështimet në sigurisë në vend. "Për mua një nga arsyet e shkarkimit të ministrit Çuçi, ishte kanabisi, pasi vetëm dy vitet e fundit, shifrat e kultivimit të kanabisit në Shqipëri kanë njohur një rritje dhe një raporti i fundit i BB, thotë se në vitin 2021 ishin rreth 3600 tonë kanabis të cilët ishin sekuestruara. Çuçi ka qenë nga ata ministra që nuk ka kërkuar protagonizëm të shtuar dhe kjo ndoshta e bën të perceptohet si një mungesë përgjegjësie pasi nuk është angazhuar shumë për të pasur atë lloj protagonizmi që në ishim mësuar më ministrat tjerë të brendshëm. Një nga arsyet ka qenë kjo, mendoj pastaj që gjatë dy viteve të Çuçit, ka pasur dy ngjarje të rënda që kanë ndikuar shumë në opinionin publik, vrasja e 7-vjeçares vjet në plazhi e Potamit dhe ngjarja e dhunës të fisit Rraja në Borizanë. Mendoj që reagimi publik sidomos ndaj rrahjes, ka qenë mjaft i madh, dhe duhej një përgjegjës dhe përgjegjësi në këtë rast, i cili mund të sillte më pak dëm ishte ministri Çuçi. përgjegjësi nga hallka institucionale e sigurisë, më pak i mbrojtur në këtë histori. Sepse nëse do të largohej sërish drejtori i Policisë, do të kishte problem të madh. Ai nuk ishte ministër politik, as i përfolur për stuktura, besoj i kishte ardhur fundi pas dy vitesh. Zhabina, vlerëson se me ardhjen në krye të ministrisë së Taulant Ballës, do ta kthej atë në ministri më shumë politike për vetë ndikimin politik që ka. Emërimi i Ballës në këtë post do të jetë edhe me protagonizëm politik, edhe për shkak të background politik qe ka, sepse është njeri i atakuar vazhdimisht nga opozita. Duke qenë se ai ka këtë lloj profili politik, mendoj se edhe vëmendja politike e Ministrisë së Brendshme do të jetë më e madhe. Mendoj se opozita do të jetë më e ashpër në deklaratat e saj. Kujtoj këtu se Balla është përgjuar dy ditë në Elbasan, për masakrën ndaj fisit Çapja në 2016, ndërkohë që këto përgjime më pas me urdhër janë shkatërruar nga Gjykata dhe ne nuk e dimë se çfarë mund të ketë aty, dhe s’do ta marrim vesh asnjëherë, ndërkohë që emri i tij është përfolur edhe për një tender në Elbasan, nga një e afërme e një personazhi mjaft të njohur të krimit. Kështu që duke patur këtë lloj profili politik dhe këtë lloj ndikimi në qarkun e Elbasanit, mendoj se do të kthej ministrinë, më shumë politike, do të jetë më e përditshme në tv e media, se sa kishte zgjedhur të bënte Çuçi.



