Kontabilisti Altin Sulejmani borxhin tatimor prej 400 milionë euro brenda një viti ku 181 mijë subjekte janë me detyrime të prapambetura, e cilëson si alarm jo të vogël dhe thotë se vetëm kjo shifër është 5% e buxhetit të shtetit.
Duke folur për “MCN Economy”, ai deklaroi se përpjekjet nga administrata tatimore për të mbledhur borxhin janë, por ngriti si shqetësim fryrjen e gjobave si dhe vështirësinë e bizneseve për të paguar.
Sulejmani nënvizoi se ulja e taksës jo vetëm ka efektin e agjentit për tregun, por zhbllokon tregun dhe hapësira të reja të margjinalitetit të shtuar.

Duhet të kemi parasysh se 86% e biznesit shqiptar janë ndërmarrje me më pak s 4 punonjës, 9% janë me më pak se sa 10 punëtorë. Vetëm 1.6% e bizneseve tona i kalojnë 50 punonjësit.
Po flasim për një pëlhurë sociale që përbëhet kryesisht nga biznesi i vogël dhe familjar, që i ka të vështira investimet dhe e ka rendimentin të ulët.
Ndoshta një pjesë e mirë e atij borxhi i takojnë personave fizikë. Çfarë do bësh te personi fizik, duke qenë se përkon me individin.
I bie që për të marrë me dhunë këtë shumë, nuk është si për një shoqëri të madhe që shkon dhe i bllokon asetet, unë besoj se ai borxh që i përket biznesit shumë të vogël, politikisht nuk e kanë vullnetin për ta vjelë.
Informaliteti nuk ndikon te detyrimet që rriten, por do kishte një buxhet më të bëshëm. Forcimi i lekut në çdo lloj teorie ekonomike, është shumë i rrezikshëm për ekonominë.
Leku është forcuar në tre vitet e fundit në rritje mbi 20%, kjo hedh në tokë biznesin e eksporteve dhe e bën më pak atraktive gjithë ekonominë në tërësinë e vetë dhe e ka vendosur në vështirësi ekonominë.
Forcimi i lekut ka ndikuar në prishjen e balancave tregtare.
Ekonomia shqiptare është e ngurtësuar te lidhja me politikën që garanton PPP-të, investimet publike dhe pjesa tjetër ushqehet shumë pak.
Është një ekonomi e ngurtësuar dhe në momentin kur investimet publike frenohen, e vuan.
Shifrën prej 120 mijë biznesesh të fiskalizuara Sulejmani e sheh pozitivisht dhe thotë se krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit jemi në shifra të mira.
Puna është se ne nuk e dimë se sa janë ato biznese që i shpëtojnë pjesës së deklarimit.
Shoh që duhet ndërruar tendenca, strategjia dhe politika ekonomike për ta shtyrë biznesin për të kontribuar dhe nuk shoh rrugë tjetër përveç uljes së normës tatimore.
Taksat më të larta apo më të ulëta ndikojnë tek ekuilibrat e tregut, nuk janë thjesht agjent.
Ulja e taksës jo vetëm ka efektin e agjentit për tregun, por zhbllokon tregun dhe hapësira të reja të margjinalitetit të shtuar.



