Fermerët prej dy muajsh nuk kanë marrë rimbursimet (VIDEO)

Fermerët prej dy muajsh nuk kanë marrë rimbursimet (VIDEO)

Ky është një nga fermerët e fshatit Krutje e Sipërme të qytetit të Lushnjes që prej 2 muajsh nuk ka marrë rimbursimin e përcaktuar nga qeveria për prodhimin e qumështit.

Fermeri:Në fillim muajt e parë, katër muajt e parë, gjysmë për gjysmë i dhanë. Ne iu përgjigjëm shtetit. Bëmë aplikimin. Bëmë siguracionin, në bazë lë ligjit. I kanë dhënë gjithmonë me vonesë. Nëntorin e dhjetorin nuk i pranuan fare faturat.”

Sipas një VKM-je nr. 184 të datës 4 prill 2029, qeveria përcaktoi për fermerët një vlerë prej 10 lekë për litër qumësht, i cili do subvencionohej nga AZHBR-ja. Afati i shkurtër i aplikimit bëri që edhe të tjerë fermerë të mos aplikonin në kohë, ndonëse faturat i kanë pasur të rregullta.

Fermeri:Unë nuk kam aplikuar dot, sepse data e aplikimit u mbyll. Unë nuk e dija që kishte një afat që do të mbyllej. Shkova një herë atje për të aplikuar. Kishte shumë njerëz. Faturat i kam marrë që nga janari i vitit të kaluar. Tani unë shpresoj që të hapet një aplikim dhe unë t’i marr lekët që kur i kanë marrë të tjerat.”

Edhe fermerët e tjerë shprehen se vetëm një pjesë e vogël kanë mundur të aplikojnë duke akuzuar qeverinë për fshehje të fondeve për bujqësinë.

Fermeri 1: “Këtu kanë marrë vetëm 10 për qind. Të tjerët nuk kanë marrë. Edhe ata që kanë marrë, siç e dëgjove edhe vetë, e kanë ndërprerë, kanë dy muaj pa të re. Kështu që diku ky lek fshihet.”

Fermeri 2: “Kemi humbur edhe siguracionin për pension. I gjithë ky 30-vjeçar është një rrumpallë e vërtetë.”

Problemin e pranon edhe kryetari i Sindikatës së Fermerëve, Eduart Sharka, i cili thotë se formula e kompensimit të fermerëve me anë të faturave është e dështuar.

Eduart Sharka: “Faturat që ata ia kanë çuar me postë OSHBRE-së, siç kanë marrë edhe muajt e tjerë atë 10-lekëshin për litër se ishte shpallur fitues, OSHBRE-ja ia fut faturat në zarf e ia çon te shtëpia pa shkruajtur asnjë gërmë, pa dhënë asnjë sqarim. Po të flisni me fermerët dhe po të analizohen faktet, del që me të vërtetë këto politika subvencionimi indirekte nëpërmjet politikave fiskale janë të dështuara”.

Sipas Sharkës, qeveria ka shkelur Kushtetutën duke ulur përqindjen e subvencionimit si dhe duke detyruar tregtarët në mënyrë verbale të ulin çmimin e blerjes së produktit.

Eduart Sharka: “Për shkak të prishjes së mekanizmit të TVSH-së, për shkak të futjes së një termi që unë e quaj term i mallkuar, që është kompesimi i fermerëve me një përqindje që ka qenë 20 e sot është 6. Është prishur mekanizmi i vjeljes së TVSH-së dhe çfarë bën njësia e financave sot? Nuk taton fermerin, sepse është e përjashtuar me ligj, por taton tregtarin, operatorin që blen te fermeri. Në këtë rast ndodh që atë nuk ia merr fermerit, ia kërkon, ia merr padrejtësisht në mënyrë të kundraligjshme tregtarit. Atëherë tregtari çfarë do të bëjë? Ka dy rrugë, ose do ulë çmimin e blerjes te fermeri, ose do të rrisë çmimin e shitjes në treg t’ia marrë konsumatori.”

Në këto kushte, Sindikata e Fermerëve paralajmëron rikthimin e protestave në rast se zgjidhja e problemeve të tyre nuk mbyllet brenda një afati kohor jo më larg se mesi i muajt shkurt.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy