
Prodhuesi koreano-jugor i smartfonëve LG ka vendosur të mbyllë njësinë e telefonave celularë pasi pranoi humbjet në tregun global të tyre.
LG tha të hënën se ka marrë një "vendim strategjik për të dalë nga sektori i telefonit celular tepër konkurrues" për t'u përqëndruar në bizneset në rritje të tilla si furnizimi i pjesëve të makinave elektrike.
Prodhimi i smartfonëve do të ndalojë më 31 korrik të këtij viti.
LG nuk tha se sa vende pune shkurton një vendim i tillë. Por shtoi se do të përqendrohet në biznese të tjera si pajisje të lidhura për shtëpi, robotikë dhe inteligjencë artificiale, si dhe elementë të automjeteve elektrike.
Në këtë mënyrë, LG u bashkohet gjigantëve të tjerë si BlackBerry, HTC dhe Nokia, që kanë dalë nga tregu i smartfonësve, pavarësisht se të tillë dalin ende në shitje pasi është shitur e drejta e pronësisë intelektuale.



