
Inxhinieri i ndërtimit Tanush Çaushi vlerësoi në emisionin "MCN Economy", se mungesa e mirëmbajtjes në kohën e duhur të rrugëve sjell kosto shumë më të larta financiare.
Sipas tij, degradimi i infrastrukturës përshpejtohet me kalimin e viteve, duke e bërë ndërhyrjen gjithnjë e më të kushtueshme ndërsa mirëmbajtja periodike është shumë më ekonomike sesa rikonstruksioni i plotë i infrastrukturës së dëmtuar.
Kushton shumë më tepër mosmirëmbajtja e rrugëve sesa mirëmbajtja e tyre.
Është njësoj si me një sëmundje: nëse nuk trajtohet në kohën e duhur, kostot për ta kuruar më vonë janë shumë më të larta sesa kostot e parandalimit.
Studimet tregojnë qartë se ndërhyrjet periodike janë më pak të kushtueshme sesa riparimet e mëdha që bëhen pasi infrastruktura është degraduar.
Duke iu referuar një grafiku të përgatitur në kuadër të studimit për Korridorin Adriatiko-Jonian, them se degradimi i autostradave përshpejtohet me kalimin e viteve.
Në pesë vitet e para degradimi është minimal dhe nuk kërkohen ndërhyrje të mëdha.
Por më pas kurba e amortizimit rritet me shpejtësi dhe, pas rreth 40 vitesh, degradimi i autostradave arrin afërsisht në 90 për qind.
Në të njëjtën kohë rriten ndjeshëm edhe kostot e mirëmbajtjes.
Çaushi theksoi se mirëmbajtja e rrugëve në Shqipëri nuk ka qenë në standardet e duhura ndër vite.
Mirëmbajtja rutinë duhet të kryhet vazhdimisht, ndërsa mirëmbajtja periodike duhet të planifikohet në kohën e duhur për të shmangur investimet shumë më të kushtueshme në të ardhmen.
Si shembull është autostrada Tiranë-Durrës, të cilën e cilësoi si një rast tipik të mungesës së mirëmbajtjes në kohë.
Autostrada Tiranë-Durrës tregon qartë pasojat e mosndërhyrjes në kohën e duhur.
Sot aty kërkohen ndërhyrje të thella, si rindërtimi i shtresave të rrugës, sistemimi i kanaleve anësore, zëvendësimi i barrierave mbrojtëse dhe punime të tjera, të cilat kanë një kosto shumë më të lartë.
Kjo është arsyeja pse mendoj se mirëmbajtja e rrugëve në Shqipëri nuk ka qenë në nivelin e duhur.



