
Në çdo 29 nëntor, në Ditën e Çlirimit, ithtarët e figurës së diktatorit Enver Hoxha kanë marrë pjesë në homazhet tek Varrezat e Dëshmorëve në Tiranë.
Për të përkujtuar këtë ditë, ata me parulla komuniste dhe me foton e diktatorit ata kanë kryer homazhe.
Për mikrofonin e MCN live, kryetari i Partisë Komuniste të Shqipërisë, Qemal Çiçollari thotë se është vazhdues i veprës së Enver Hoxhës dhe Partisë së tij, të cilët sipas tij sollën lirinë e vërtetë në vend.
Çiçollari u shpreh se aktualisht, Partia Komuniste e Shqipërisë numëron mbi 5000 anëtarë dhe se askush nuk i ndalon të bëjnë homazhe brenda Varrezave të Dëshmorëve.
Unë jam kryetari i Partisë Komuniste të Shqipërisë që bashkë me një grup shokësh kemi ardhur këtu për të bërë homazhe, për të nderuar ditën e çlirimit të atdheut. Më 29 nëntor 1944 populli shqiptar nën udhëheqjen e Partisë Komuniste dhe Enver Hoxhës, luftuan dhe fituan mbi pushtuesit nazifashist dhe tradhtarët e vendit.
29 nëntori u fitua liria dhe pavarësia e vërtetë kombëtare e Shqipërisë dhe triumfoi revolucioni popullor.
Nuk ka askush që na ndalon për të bërë homazhe.
Ne jemi nxënës dhe vazhdues të veprës së tij revolucionare në shërbim të popullit dhe të atdheut. Jemi idealistë, jemi anëtarë të Partisë Komuniste të Shqipërisë, vazhduesit. Ne kemi bindje komuniste dhe këto bindje komuniste janë botëkuptimore. Partia Komuniste e Shqipërisë është partia e klasës punëtore e cila udhëhiqet nga shkenca marksiste-leniniste dhe mësimet e Enver Hoxhës.
Ka mijëra anëtarë, me dhjetëra, mijëra simpatizantë të cilët po rriten çdo ditë e më shumë si numër. Mbi 5000 anëtarë partie.



