Franca dhe Gjermania kanë braktisur bisedimet për reformimin e Organizatës Botërore të Shëndetit. Shkak për këtë është bërë përpjekja e SHBA-ve për të udhëhequr negociatat, pavarësisht se e ka shprehur hapur qëndrimin e saj për të dalë nga OBSH-ja. Lajmi e bën të ditur agjencia e lajmeve Reuters, e cila u referohet tre zyrtarëve të lartë.
Kjo lëvizje është një pengesë për presidentin Donald Trump pasi Uashingtoni, i cili mban presidencën e radhës të G7, synonte të nxirrte një udhërrëfyes të përbashkët për një rregullim gjithëpërfshirës të OBSH-së në shtator, dy muaj para zgjedhjeve presidenciale amerikane.
Në korrik, SHBA pati njoftuar se do të largohet nga OBSH, një agjenci e Kombeve të Bashkuara e krijuar për të përmirësuar shëndetin global. Trump e akuzoi OBSH-në se ishte shumë afër Kinës dhe se e keqpërdori pandeminë e koronavirusit.
OBSH-ja i ka hedhur poshtë akuzat e Trumpit. Qeveritë evropiane e kanë kritikuar gjithashtu OBSH-në, por nuk shkojnë aq larg sa Shtetet e Bashkuara në kritikat e tyre, dhe vendimi i Parisit dhe Berlinit për të lënë bisedimet pason tensionet mbi ato që ata thonë se janë përpjekjet e Uashingtonit për të dominuar negociatat.
"Askush nuk dëshiron të tërhiqet në një proces reformimi dhe të marrë orientime për to nga një vend i cili vetë u largua nga OBSH", tha një zyrtar i lartë evropian i përfshirë në bisedime.
Ministritë e shëndetësisë gjermane dhe franceze konfirmuan për Reuters se të dy vendet ishin kundër ambicies së Shteteve të Bashkuara për të drejtuar bisedimet, pas vendimit për të lënë organizatën.
Një zëdhënës i ministrisë italiane të shëndetësisë tha se puna për draftin e reformës ishte ende në proces, duke shtuar megjithatë se qëndrimi i Italisë është në përputhje me Parisin dhe Berlinin.
I pyetur për pozicionin e Francës dhe Gjermanisë, një zyrtar i lartë i administratës Trump tha: "Të gjithë anëtarët e G7 mbështesin në mënyrë të qartë përmbajtjen e ideve të reformës së OBSH".
"Pavarësisht kësaj, është për të ardhur keq që Gjermania dhe Franca në fund të fundit vendosën të mos bashkohen me këtë grup për të miratuar projektin e reformimit", tha ai.
Një zëdhënës i qeverisë britanike nuk pranoi të komentojë zhvillimet e fundit, por shtoi se Britania e mbështet OBSH-në dhe kërkon një reformë që garanton fleksibilitetin dhe përgjegjshmërinë e saj.
Bisedimet për reformimin e OBSH-së filluan rreth katër muaj më parë. Ka pasur gati 20 telekonferenca midis ministrave të shëndetësisë nga vendet e G7-s dhe dhjetëra takime të diplomatëve dhe zyrtarëve të tjerë.
Një marrëveshje nga G7, e cila përfshin gjithashtu Japoninë dhe Kanadanë, do të lehtësonte bisedimet në G20 dhe Kombet e Bashkuara, ku çdo ndryshim do të duhej të dakordohej me Kinën, Rusinë dhe qeveritë e tjera të mëdha jo në G7.



