
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha tha se Rama ka zgjedhur rrugën e gabuar në raport me integrimin e vendit, në një kohë që ka mbetur vetëm një jave nga vendimi i Brukselit për negociatat.
Teksa foli pas takimit që pati në selinë blu me ministrin e Jashtëm të Austrisë, Alexander Schallenberg, kryedemokrati Basha u shpreh se pengesa kryesore e vendit sot është kryeministri Edi Rama. Sipas Bashës, shefi i qeverisë po tregon se nuk ka vullnet për tejkalimin e ngërçit politik.
“Falënderova ministrin për mbështetjen e procesit për hapjen e negociatave me BE. E garantova se PD do të bëjë çdo gjë për të kaluar krizën politike. Edi Rama po tregon se është pengesa e vetme për të tejkaluar këtë krizë dhe për të zgjidhur këtë situatë që po na mban peng. Ne jemi vendosur të bëjmë gjithçka që Shqipëria mos të mbetet e kapur nga korrupsioni”, tha Basha.
Ndërkaq, kreu i opozitës u ndal edhe një herë tjetër tek reforma zgjedhore, duke thënë së opozita e bashkuar është në krye të detyrës dhe se propozimi i tyre për daljen nga kriza dhe reformën zgjedhore vazhdon të mbetet në tryezë.



