Rusia para kthimit të KGB-së

Rusia para kthimit të KGB-së

Që para zgjedhjeve presidenciale të vitit 2018 në Rusi do të ngrihet një ministri për Sigurimin e Shtetit. Ish-shërbimi i vjetër i fshehtë dhe i gjithëfuqishëm KGB mund të ringjallet me një emër nga koha e Stalinit.

 Një autokolonë e pazakontë veturash tërhoqi vëmendjen në verë në Rusi. Në fillim të korrikut, në internet u publikua një video amatore, që tregonte 30 të rinj në xhipa të zinj fuoristrada të një marke të njohur gjermane duke kaluar në rrugët e Moskës. Ishin studentë që po përfundonin Akademinë e Shërbimit të Fshehtë FSB, të cilët festonin me potere përfundimin e shkollës. Të rinjtë me këmisha të bardha u prezantuan si një trupë elitare, si sundimtarë në vend. Një skandal, i cili para së gjithash kishte të bënte me faktin se studentët u shfaqën në mënyrë demonstrative mendjemadhe. Oficerëve të prekur dhe eprorëve të tyre ua ulën gradat, disa i larguan, bëri të ditur më vonë FSB.

Ky incident është simbolik për pozicionin e shërbimeve të fshehta në Rusinë e sotme. Që prej ardhjes në pushtet të Presidentit Vladimir Putin, i cili në kohët sovjetike ishte vetë oficer i Komitetit për Sigurinë e Shtetit (KGB) dhe në fund të viteve 1990 drejtoi pasardhësin e KGB-së, FSB, ndikimi i këtij institucioni është rritur vazhdimisht. Prej vitesh pozicionet kyçe në vend i zënë punonjës të shërbimeve të fshehta.

Ndoshta tani përpara është edhe një hap tjetër në këtë drejtim. Shërbimet e fshehta dhe të sigurisë do të reformohen në mënyrë rrënjësore, bëri të ditur të hënën gazeta e Moskës "Kommersant". Është parashikuar para së gjithash një Ministri për Sigurimin e shtetit, shkurt MGB. Superministria e re do të krijohet nga një bashkim i FSB dhe shërbimin e zbulimit në botën e jashtme, apo kundërzbulimin SWR. Edhe pjesë të Shërbimit Federal të Mbrojtjes, FSO, i cili është kompetent për mbrojtjen e politikanëve kryesorë dhe të nëpunësve civilë, do të bëjnë pjesë në strukturën e re. "Faktikisht është fjala që FSB-së t'i rikthehen detyrat e KGB-së sovjetike", shkruan "Kommersant". Veç kësaj është e planifikuar që ministria e re, të ketë mundësi të zhvillojë vetë hetime ose të mbikqyrë hetimet e organeve të tjera në raste veçanërisht delikate. MGB-ja e re do të krijohet që para zgjedhjeve presidenciale në vitin 2018.

Reforma e gjerë e forcave të sigurisë nisi që në pranverë, me themelimin e Gardës së Rusisë (Rosgvardija). Kjo organizatë e re krijohet në bazë të të ashtuquajturave Trupa të Brendshme, një njësi e ngjashme me ushtrinë e Ministrisë së Brendshme. Garda e Rusisë është nën komandën personale të Putinit. Në krye të saj është ish-shefi i bodigardëve të Putinit, Viktor Solotov. Disa vëzhgues besojnë, se Garda e Rusisë u themelua para së gjithash për të shtypur protesta të mundshme qytetare. Këto protesta ende nuk duken gjëkundi, por gjendja ekonomike në Rusi po keqësohet - para së gjithash për shkak të çmimeve të ulëta të naftës. Prandaj trazirat sociale janë të përfytyrueshme.

Përfundim i kthimit në Bashkimin Sovjetik?

Shërbimi i Fshehtë famëkeq sovjetik e mbajti emrin MGB nga viti 1946 deri në vdekjen e Stalinit në vitin 1953. MGB-ja sovjetike veproi në këtë kohë veçanërisht ashpër kundër atyre që mendonin ndryshe. Nëse FSB-ja i merr me të vërtetë kompetencat dhe me to edhe një emër të vjetër si në kohët e Stalinit, kjo do të përshtatej me konceptin e nxitur nga udhëheqja ruse për kthimin e simboleve sovjetike dhe të praktikave të asaj kohe. Ky proces nisi që në vitin 2000 me rimarrjen e melodisë së himnit sovjetik. Stalini dhe sundimi i tij "me grusht të hekurt" glorifikohen prej vitesh nga mediet shtetërore. Në të gjithë vendin po ngrihen monumente të Stalinit, fotografitë e tij i sheh herë pas here në pllakata në rrugë.

Pas aneksimit të Krimesë nga Rusia ky proces u përshpejtua. Një shumicë e rusëve (54 përqind) e vlerëson pozitivisht rolin e Stalinit në Bashkimin Sovjetik, konstatoi në mars instituti i pavarur demoskopik Qendra Lewada. Një në katër rusë sheh "një nevojë" në terrorin e Stalinit. Në këtë sfond, reforma dhe ndryshimi i emrit të FSB-së në MGB duken si një vijë përmbyllëse.

 

Marrë nga Deutsche Welle

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy