Të paktën 16 persona gjetën vdekjen dhe më shumë se 1200 të tjerë u detyruan të lënë shtëpitë e tyre nga përmbytjet në rajonin e Bahia Blanca në Argjentinë.
Shumica e viktimave janë të moshuar, të cilët ndodheshin “në azile pleqsh” ose “në shtëpi ku jetonin të moshuarit”. Zyra e Presidentit të Argjentinës Javier Milei ka shpallur tre ditë zie kombëtare për viktimat e përmbytjeve, duke theksuar se të gjitha ekipet qeveritare “vazhdojnë të jenë të përkushtuara” për të ofruar “ndihmë për të prekurit në këtë moment të dhimbshëm” për qytetarët e Bahia Blanca.
Shiu i rrëmbyeshëm depërtoi në lagjet e qytetit dhe brenda banesave, ndërsa në rrugë gjen automjete të përmbysura nga vërshimi I ujit.
Autoritetet bëjnë fjalë për 100 persona të zhdukur, mes të cilëve edhe dy vajza të vogla të moshës një dhe pesë vjeç.
Ekipet e zhytësve vazhdojnë kërkimet në zonat ku niveli i ujit kalon një metër me shpresën se do të gjenden të mbijetuar.
Dëmet e shkaktuara nga përmbytjet vlerësohen në 370 milionë euro në qytetin ku ndodhet një nga portet kryesore të Argjentinës, 600 kilometra në jugperëndim të kryeqytetit Buenos Aires. Shiu i rrëmbyeshëm filloi mëngjesin e së premtes dhe brenda pak orësh ranë 400 milimetra shi, afërsisht e njëjta sasi me atë që është regjistruar brenda një viti në këtë zonë.



