Aeroporti i Hamburgut është evakuuar në mënyrë urgjente nga autoritetet, pasi të paktën 50 njerëz raportuan probleme me frymëmarrjen për shkak të një “substance të panjohur”.
Gjithçka nisi kur njerëzit filluan të ankoheshin për vështirësi në frymëmarrje, pasi kishin ndier një erë të pakëndshme në aeroportin e Hamburgut sot në mëngjes.
Kontrollet e sigurisë kanë arritur të gjejnë substancën e dyshimtë, bën të ditur “Reuters”. Një burim i tha gazetës “Bild” se substanca e dyshimtë mund të jetë futur përmes sistemit të ajrit të kondicionuar. Ekipet zjarrfikëse dhe ato të mjedisit pritet të përcaktojnë llojin e kësaj substance.
Kjo situatë shkaktoi edhe vonesa në nisjen e avionëve. Të paktën një prej tyre u vonua rreth 60 minuta për shkak të situatës së krijuar.



