Nëse një luftë bërthamore apo një apokalips zombish kërcënon botën, të pasurit e globit e kanë një vend të sigurt për t’u strehuar. “Vivos Group” është një kompani me bazë në Kaliforni, e cila ndërton vendstrehime të fortifikuara për të pasurit që duan t’i shpëtojnë fundit të botës.
“Vivos xPoint” është një zonë me tunele, me kapacitetin strehues më të madh në botë. Aty mund të strehohen 5 mijë njerëz. Prona përbëhet nga 575 bunkerë të ndërtuar me çelik. E ndodhur në Dakotën e Jugut, struktura e saj është ndërtuar fillimisht në vitin 1942 për të ruajtur eksplozivë dhe municione.
“Vivos” e bleu këtë zonë në vitin 2016. Kostoja e strehimit aty është 12 mijë dollarë. Ata që e kanë mundësinë të paguajnë përfitojnë strehim në dhoma që kanë elektricitet, ventilim dhe ujë të ngrohtë. Por në ndërtim e sipër, kostot mund ta çojnë çmimin në 20300 dollarë.
Në dhoma mund të strehohen 10 veta dhe pronarët e rinj mund t’i shndërrojnë në hapësira që u ngjajnë shtëpive të tyre.
Projekti parashikon një staf që punon me kohë të plotë dhe siguron mirëfunksionimin e bunkerëve dhe asistencë për të strehuarit. Kompania ka parashikuar të ndërtojë dyqane si dhe të krijojë hapësira për shkolla.



