
Shqyrtimi dhe votimi i projektligjit për Reformën e Re Administrativo-Territoriale në Kuvend ka ngritur pikëpyetje të mëdha mbi qëllimet e vërteta politike të kësaj nisme.
Për edicionin e lajmeve në MCN TV, analisti Ben Andoni ka bërë një skanim të situatës, duke zbuluar lidhjen e ngushtë mes hartës së re me 46 bashki dhe balancave për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Sipas Andonit, nxitimi i mazhorancës për të kaluar reformën pa konsensus lidhet drejtpërdrejt me hartimin e zonave të reja elektorale.
Mendoj se kjo reformë do t'i paraprijë reformës elektorale. Duke futur përpara një reformë të tillë, qeveria e ka më lehtë që të drejtojë edhe reformën elektorale, nëse opozita do të dojë të bashkëpunojë me të më vonë.
Është mjaft shqetësuese mënyra se si po procedohet me një projekt që kërkonte studim afatgjatë të resurseve ekonomike dhe njerëzore të zonave që preken.
Një reformë e tillë do të merrte shumë kohë të tepërt. Duheshin parë mirë resurset nëse vërtet këto 15 bashki munden të shkrihen apo jo.
Qeveria duhet të ishte më transparente për publikun.
Sensi parlamentar te ne kërkon debate, por këto debate duhet të ishin bërë kohë më përpara, qoftë me grupet e interesit, qoftë me komisionet përkatëse.
Arroganca që po përdoret ndaj tyre do të rëndojë mbi vetë qytetarët.
I ndalur te pretendimet e opozitës se shkrirja e bashkive të vogla dhe largimi i institucioneve do të sjellë braktisjen e zonave rurale, analisti ofroi një këndvështrim tjetër.
Sipas Andonit, problemi i largimit të shqiptarëve është shumë më i thellë sesa ndryshimi i thjeshtë i një harte administrative në letër.
Reforma territoriale nuk është aspekti i parë i shpopullimit të vendit.
Aspekti i parë dhe kryesor i shpopullimit mbetet humbja e shpresës te qytetarët.



