
Dy ditë pasi Departamenti i Shtetit amerikan bëri publik vendimin që kishte marrë se kryebashkiakut në detyrë të Durrësit, Vangjush Dako dhe familjes së tij i është refuzuar hyrja në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, prokuroria lëshon fletë thirrje për Dakon, në lidhje me dosjen 339, ku ai del në përgjime me pjesëtarë të një bande kriminale të njohur në Shijak.
Mësohet se Vangjush Dako do të paraqitet në shtator tek Krimet e Rënda për t’u pyetur për herë të dytë.
Dosja 339’, vazhdon të hetohet dhe për këtë arsye Prokuroria e Krimeve të Rënda i ka prerë një fletë-thirrje Dakos.
Deri më tani Vangjush Dako është marrë si dëshmitar, ndërsa ende nuk dihet nëse do ti ndryshohet statusi në të dyshuar për krime zgjedhore apo jo.
Deri tani, janë tre përgjime të publikuara nga mediat ku Dako flet me anëtarët e bandës së Shijakut.
Sakaq, dje, Matthew Palmer, zëvendës-ndihmës Sekretar i Shtetit për Çështjet e Evropës dhe Euroazisë, në lidhje me vendimin e Washingtonit për ti ndaluar Dakos dhe falmiljes hyrjen në SHBA, deklaroi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë pasur dëshmi të forta në lidhje me aktivitetet e korrupsionit nga ana e ish kryebashkiakut të Durrësit.



