Vijojnë replikat mes Partisë Demokratike dhe ministrisë së Shëndetësisë, pas denoncimit të selisë blu, për një tender sekret për blerjen e 200 mijë maskave dhe mjeteve të tjera me çmime stratosferike, tender me vlerë 3.5 mln dollarë.
Përmes një deklarate për mediat, PD i është përgjigjur ministrisë, e cila i quajti akuzat, shpifje dhe baltë të hedhur mbi punën.
Sipas PD, nuk është koha e sulmeve bajate politike, qeveria duhet të japë përgjigje konkrete me një Po ose një Jo të thjeshtë.
Demokratët theksojnë se qytetarët duan të dinë të vërtetën e kontratave të blerjes së këtyre materialeve, që qeveria i ka klasifikuar si sekret shtetëror.
"Nuk është koha e sulmeve bajate politike, qeveria duhet të japë përgjigje konkrete me një Po ose një Jo të thjeshtë.
1.A bleu qeveria 178 mijë maska me 8 mijë lekë copën, kur në farmaci ato kushtojnë 4 mijë lekë?
2.A bleu qeveria veshje spitalore me 28 euro, kur në treg kushtojnë gati 3 herë më pak, 9.6 euro?
3.A bleu qeveria, mbrojtëse për sytë me dyfishin e çmimit të tregut, nga 2.9 euro i bleu me 6 euro copën?
4.A i bleu qeveria edhe maskat spitalore me çmime të dyfishuara, nga 3.8 euro që janë në treg me 8 euro?"

PD i kërkon qeverisë të publikojë kontratën e blerjes së këtyre materialeve. "Qytetarët gjykojnë vetë kush thotë të vërtetën dhe kush vjedh!", përfundon PD.



