“Ky është fundi i një kapitulli të tmerrshëm”. Kështu e komentojnë kubanët që jetojnë në SHBA vdekjen e liderit komunist, Fidel Castro. “Vdiq një tiran. Më në fund mund të nisë një epokë e re”, thanë ata ndërsa kanë festuar në rrugë e mjedise publike vdekjen e liderit 90-vjeçar.
Me një oratori të shkëlqyer dhe karizmën karakteristike, Fidel Castro ka qenë për disa dekada “armiku numër 1” i SHBA-ve. I rreshtuar në të njëjtin kamp me Bashkimin Sovjetik, Castro mbështeti lëvizjet marksiste guerrilase në Amerikën Latine, duke u bërë një prej liderve të vendeve kundër SHBA-ve.
Ai u martua me Dalia Soto del Vall, me të cilën solli në jetë 5 fëmijë. “Lideri suprem” është karakterizuar nga një jetë publike që gërshetonte realitetin dhe mitin. Gjatë jetës së tij janë ndërruar 10 presidentë të SHBA-ve, ndërsa ai u ka mbijetuar më shumë se 600 atentateve.
Edhe pse në fund të mandatit dhe jetës në politikë, Fidel Castro dhe sistemi politik kuban, pavarësisht varfërisë dhe vështirësive, ia dolën t’i mbijetonin shpërbërjes së socializmit dhe rënies së Bashkimit Sovjetik në vitin 1991.



