
Gjykata Supreme e Shteteve të Bashkuara të Amerikës e ka lejuar vendimin e presidentit Trump për ndalesën e shërbimit në ushtri për personat transgjinorë.
Gjykata votoi me 5 vota pro dhe 4 kundër, për t’i dhënë “dritën jeshile” kërkesës së administratës “Trump” që të hiqte urdhrat bllokues ndaj politikës së tij teksa sfidat ligjore vijojnë në gjykatat më të ulëta.
Katër gjykatësit liberalë në gjykatë e kundërshtuan vendimin, por gjykata ka lejuar zbatimin e këtij vendimi për një periudhë të përkohshme, deri në marrjen e një vendimi tjetër.
Ky vendim ua ndalon shërbimin në ushtri personave të cilën identifikohen me një gjini që është e ndryshme nga seksi i tyre biologjik.
Sidoqoftë, këtu bëjnë përjashtim personat transgjinorë që shërbejnë në ushtri në mënyrë të hapur dhe për ata që pranojnë të identifikohen me gjininë biologjike.
Avokatët e anëtarëve transgjinorë të ushtrisë kanë thënë se kjo politikë nuk është dashur të zhvendoset nga gjendja e statuskuosë përderisa rasti nuk përmbyllet tërëisht.
“Njerëzit transgjinorë kanë shërbyer në mënyrë të hapur në ushtri nga qershori i vitit 2016. Personave të kësaj kategorie tashmë u është ndaluar përfshirja në listat e ushtarëve të rinj nga janari i vitit 2018”, thuhet në deklaratën e tyre.
Administrata e Trump kishte apeluar gjithashtu për një vendim të përshpejtuar për rastin, të cilin Gjykata e Lartë nuk pranoi të merrte.
Presidenti njoftoi në Twitter në vitin 2017 se vendi nuk do të "pranojë ose lejojë" amerikanët transgjinorë që të shërbejnë në ushtri, duke cituar "shpenzimet e jashtëzakonshme mjekësore dhe përçarje".
Ish-Sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mattis e ripërkufizoi politikën duke e limituar atë vetëm për individët transgjinorë me një histori disforie (parehatie) gjinore, apo kur seksi biologjik i individit dhe identiteti nuk përputheshin.
Ish-sekretari i Mbrojtjes Jim Mattis tha se politika e re do të bënte përjashtime për qindra njerëz transgjinorë që tashmë shërbejnë hapur ose që dëshirojnë të shërbejnë "në seksin e tyre biologjik".
Ekzistojnë aktualisht rreth 8,980 trupa transgjinorë aktivë, sipas të dhënave të Departamentit të Mbrojtjes të analizuara nga Qendra Palm, një politikë publike jofitimprurëse.
Gjen. Mattis në memo e tij argumentoi se "nga natyra e tij, shërbimi ushtarak kërkon sakrificë" dhe se ata që shërbejnë "vullnetarisht pranojnë kufizime në liritë e tyre personale".
Ky veprim është një ndryshim i politikës së administratës së Obamës që vendosi që transgjinorët amerikanë të mund të shërbenin haptazi në ushtri, si dhe të merrnin fonde për operacionet e ri-caktimit gjinor.



