Presidenti Ilir Meta ka reaguar sërish ashpër ndaj miratimit të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor një ditë më parë në Kuvend me 97 vota pro.
Presidenti Ilir Meta e ka quajtur miratimin e Kodit të ri Zgjedhor, një vetëdemaskim të “Rilindjes”, ku u shkatërrua marrëveshja e 5 Qershorit.
Nëpërmjet një postimi në Facebook, Meta shprehet se tashmë është vendosur një mur nga mazhoranca për të penguar rrugën e integrimit europian. Kreu i shtetit thekson më tej se populli shqiptar do të largojë me votë qeverinë Rama në zgjedhjet e 25 prillit të vitit 2021.
“Shkatërrimi brutal i Marrëveshjes së 5 Qershorit ishte vetëdemaskimi i “Rilindjes” si përfaqësuese e pakicës së pakicës apo thjesht oligarkisë dhe bandave. Populli shqiptar do të jetë në lartësinë që e kërkon ky moment historik për rrëzimin e murit kriminal të “Rilindjes” që është vendosur nga dje në rrugën e integrimit europian. Ky mur do shembet nga tre milion shqiptarë në 25 Prill, por edhe më parë nëse është e domosdoshme. Shqipëria e Para! Shqipëria si gjithë Europa!”, shprehet Presidenti Meta.
Ky reagim i presidentit Ilir Meta vjen një ditë pasi Kuvendi miratoi me 97 vota pro ndryshimet e Kodit Zgjedhor.



