
Kina është vendi lider në kërkimet shkencore në pothuajse 90% të teknologjive të avancuara.
Këto janë të dhënat alarmuese të publikuara nga Instituti Australian i Politikave Strategjike (ASPI), një qendër e financuar nga qeveria e Kanberrës, e cila mban nën vëzhgim teknologjitë kritike, Critical Technology Tracker.
Ky mjet vlerëson konkurrencën kërkimore të vendeve bazuar në numrin e citimeve të artikujve shkencorë në 64 kategori teknologjike.
Sipas raportit të fundit, i cili fokusohet në periudhën 2019-2023, Kina zuri vendin e parë në 57 fusha, ose pothuajse 90%, për artikujt e botuar.
Kjo është një shifër e bujshme, sidomos po të kemi parasysh se pak më shumë se njëzet vjet më parë, pra në periudhën 2003-2007, dominonin Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke kryesuar 60 nga 64 kategoritë.
ASPI, thekson si shqetësues faktin se Kina ka bërë përparim në teknologjitë e përdorimit të dyfishtë, civile dhe ushtarake.
Ekzistojnë gjithashtu 24 kategori të konsideruara në rrezik të lartë të monopolit nga një vend i vetëm, duke përfshirë radarët, pozicionimin satelitor dhe dronët.
Sa i përket citimeve të ndjeshmërisë dhe gjurmimit hipersonik, Kina mban një pjesë prej 73%, SHBA 13%, dhe Britania e Madhe 3%. Për motorët e avancuar të avionëve, Kina kryeson me 63%, ndërsa SHBA pasojnë me 7%.
“Përparimet shkencore dhe risitë kërkimore në teknologjitë kryesore të mbrojtjes janë gjithnjë e më të mundshme në Kinë”, thuhet në raportin e ASPI.
Një shtysë e veçantë është dhënë me nismën e Presidentit Xi Jinping “Made in China 2025”, e shpallur në vitin 2015, e cila synon të modernizojë industrinë kineze dhe të forcojë vetë-mjaftueshmërinë në 10 sektorë kritikë, duke përfshirë gjysmëpërçuesit dhe robotikën.
Synimi i Kinës është të bëhet një fuqi prodhuese globale deri në vitin 2049, 100-vjetori i themelimit të Republikës Popullore të Kinës.



