Të paktën 39 persona janë vrarë në Pakistan pas disa ditësh shirash jashtëzakonisht të dendur që goditën jugperëndimin e vendit.
Disa nga të vrarët ishin fermerë të goditur nga rrufeja gjatë korrjes së grurit, thanë autoritetet.
Imazhet në internet tregojnë një pjesë të tokave bujqësore të përfshira nga uji i shiut. Përmbytjet e shpejta kanë ndërprerë gjithashtu furnizimin me energji elektrike dhe rrjetet e transportit.
Pakistani ka përjetuar një rritje të ngjarjeve ekstreme të motit, pasi përballet me ndikimet e ndryshimeve klimatike.
Në vitin 2022, një e treta e vendit u zhyt plotësisht nga përmbytjet e paprecedentë, duke vrarë më shumë se 1700 njerëz dhe duke plagosur mijëra.
Miliona njerëz mbetën të pastrehë dhe u mungonte uji i pastër i pijshëm për disa muaj më pas.
Disa nga zonat e prekura nga përmbytjet e vitit 2022, duke përfshirë Khyber Pakhtunkhwa dhe Balochistan, po preken sërish nga stuhitë e fundit.
Me më shumë reshje shiu që priten në ditët në vijim, Autoriteti Kombëtar i Menaxhimit të Fatkeqësive të Pakistanit ka paralajmëruar për rrëshqitje dheu dhe përmbytje.
Provinca më e populluar e Pakistanit, Punjab, ka pësuar numrin më të madh të vdekjeve deri më tani, me 21 njerëz të vrarë nga rrufeja midis të premtes dhe të dielës.



