
Nisi sot në Tiranë konferenca dyditore me temë “Kërkimi shkencor në hapësirën mbarëshqiptare dhe roli i Diasporës shkencore”.
Aktiviteti mbledh bashkë kërkues shkencorë dhe studiues shqiptarë nga e gjithë bota në një platformë të gjerë, ku paraqiten arritjet më të reja të studimeve të tyre në fushat përkatëse të ekspertizës duke ofruar mundësinë e shkëmbimit shkencor mes studiuesve shqiptarë dhe atyre në Diasporë dhe krijimin e një ambienti të favorshëm për forcimin e marrëdhënieve midis institucioneve akademike shqiptare dhe atyre të huaja.
Në fjalën e tij përshëndetëse Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko, tha se kjo konferencë ka një rëndësi të madhe për komunitetin e shkencëtareve shqiptar, brenda dhe jashtë vendit.
“Mbajtja e kësaj konference vetëm pak muaj mbas Samitit të Diasporës shqiptare është shprehje e nevojës për të pasur një komunikim të vazhdueshëm me elitën shkencore shqiptare. Ky komunikim është i nevojshëm për shkëmbimin e informacioneve, përvojave, dhe krijimit të lidhjeve të rëndësishme për të krijuar një opinion të kualifikuar shkencor dhe kombëtar. Si asnjëherë më parë në ekzistencën e tij kombit shqiptar nuk i nevojiten vlerësimi dhe organizimi i inteligjencës së shkencës. Koha e luftës për mbijetesë kombëtare ka mbaruar. Tani kombit shqiptar i duhet dija dhe njerëzit e saj”, tha ministri Majko gjatë fjalës së hapjes.
Në fjalën e saj, ministrja Shahini shprehu besimin se mënyra e vetme për të zhvilluar shtetet e vogla si Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe gjithë Ballkani Perëndimor, është duke kombinuar dijen dhe eksperiencën e pjesëtarëve të diasporës dhe me punën e përkushtimin e institucioneve arsimore në Shqipëri.
Në konferencë do të diskutohen tema të cilat prekin të gjitha sferat shkencore dhe ku shkencëtarë shqiptarë brenda dhe jashtë vendit janë angazhuar e më së shumti si: Arsimi i lartë dhe kërkimi shkencor në hapësirën mbarëshqiptare – Sfidë financimi apo kapacitetesh? Ku po shkon arsimi shqiptar?; Historiografia – Shkruajtja e historisë kombëtare si sfida e krijimit të Vetvetës; Mjekësia – Mision dhe profesion. Sfida e migracionit; Drejtësia – Demokracia, të drejtat e njeriut dhe shteti i të drejtës; Refleksion mbi organizimet në Diasporë dhe reformën e drejtësisë në Shqipëri; Gjuha dhe kultura shqipe – Shkencat humane dhe trashëgimia kulturore shqiptare në epokën e internetit; Ekonomia – Dilemat e mendimit ekonomik shqiptar dhe mobilizimi i Diasporës për rritje të qëndrueshme.
Aktiviteti organizohet nga Fondi Shqiptar për Zhvillimin e Diasporës dhe instituti Alb Shkenca me mbështetjen e ministrit të Shtetit për Diasporën.



