
SHBA thotë se diskutimet e saj me Korenë e Veriut po lëvizin "më shpejt se sa pritej" përpara samitit të përbashkët në Singapor të martën.
Bisedimet paraprake midis zyrtarëve kanë ndodhur para takimit të parë të parashikuar.
Shtëpia e Bardhë gjithashtu konfirmon se presidenti Donald Trump dhe Kim Jong-un do të mbajnë një takim kokë më kokë, ku të pranishëm janë vetëm përkthyesit.
Sipas BBC, Trump pas këtij takimi do të largohet nga vendi po atë mbrëmje.
Më parë, mediat shtetërore të Koresë së Veriut folën për një "marrëdhënie të re" me SHBA.
Dhe SHBA ka thënë se do të ofrojë siguri "unike" të Koresë së Veriut në këmbim të denuklearizimit të plotë, sipas Sekretarit të Shtetit, Mike Pompeo.
Ai këmbënguli se SHBA nuk do të pranonin asgjë më pak se denuklearizim të plotë.

Ministri i Jashtëm i Singaporit, Vivian Balakrishnan, i cili e takoi Trump dhe Kim veçmas të dielën në mbrëmje, i tha BBC se të dy udhëheqësit ndiheshin "tepër të sigurt".
Balakrishnan konfirmoi se Singapori po paguan për qëndrimin e delegacionit të Koresë së Veriut, duke e përshkruar atë si "mikpritje që ne do të kishim ofruar".
Presidenti i SHBA dhe udhëheqësi i Koresë së Veriut po qëndrojnë në hotele të ndara jo shumë larg njëri-tjetrit dhe do të takohen të martën në një hotel në Sentosa, një ishull turistik popullor disa qindra metra larg ishullit kryesor të Singaporit.
Shefi i Shtëpisë së Bardhë ka thënë me anë të një mesazhi në "Twitter", se ka një "ndjenjë të mirë" për samitin shumë të parashikuar të martën.
Nga ana tjetër Mike Pompeo, diplomati më i lartë i Donald Trump, tha se presidenti ishte plotësisht i përgatitur për takimin e tij me Kim Jong-un.



