
Rusia zgjeroi sulmin ndaj Ukrainës në periferi të kryeqytetit Kiev, pasi sulmoi vendin nga toka, deti dhe ajri një ditë më parë.
Ushtria ruse kreu sulme ajrore në qytete dhe baza ushtarake dhe dërgoi trupa dhe tanke, që vranë 137 civilë dhe personel ushtarak, sipas shifrave të publikuara nga presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy.
Ai i quajti ata “heronj” në një video të publikuar në orët e para të 25 shkurtit, në të cilën ai gjithashtu thotë se më shumë se 300 njerëz u plagosën në më pak se 24 orë luftime.
Zelenskiy tha se Rusia rifilloi sulmet me raketa në orën 4 të mëngjesit të 25 shkurtit, por trupat e saj ishin ndaluar të përparonin në shumicën e drejtimeve.
Shpërthimet u dëgjuan nga Kievi herët më 25 shkurt ndërsa sirenat ajrore ranë.
“Ata po vrasin njerëz dhe po i kthejnë qytetet paqësore në objektiva ushtarake. Është e keqe dhe nuk do të falet kurrë,” tha Zelenskiy.
Zelenskiy tha se pavarësisht humbjeve, forcat e armatosura të Ukrainës po “mbronin shkëlqyeshëm vendin kundër një prej kombeve më të fuqishme në botë”.
Presidenti i Ukrainës ka thënë se vendi i tij ka mbetur i vetëm përballë agresionit rus pasi Kremlini filloi një pushtim në shkallë të gjerë duke vrarë më shumë se 130 ukrainas në ditën e parë, shkruan The Guardian.
Në një fjalim drejtuar kombit pak pas mesnate, Volodymyr Zelenskiy tha: “Ukraina ka mbetur e vetme përballë agresionit rus. Kush është i gatshëm të luftojë përkrah nesh? Nuk ka asnjë. Kush është i gatshëm t’i japë Ukrainës një garanci për anëtarësimin në NATO? Të gjithë kanë frikë. Ata duan të shkatërrojnë Ukrainën politikisht duke rrëzuar kreun e shtetit. Unë do të qëndroj në Ukrainë së bashku me familjen time. Unë jam objektivi kryesor i qeverisë ruse, ndërsa familja ime objektivi i dytë.”

Zelenskiy u kërkoi Shteteve të Bashkuara dhe Perëndimit të vendosin sanksione edhe më të ashpra dhe të largojnë rusët nga sistemi SWIFT, një rrjet financiar kyç që lidh mijëra banka në mbarë botën.
Biden tha se SHBA-ja dhe partnerët e saj po e shmangin këtë veprim për momentin, por mund të vendosin më shumë sanksione më vonë.



