
Përpjekja për selfie-n e përkryer ka përfunduar në disa raste me tragjedi. Por përtej rrezikut të rënies nga lartësia apo aksidenteve të tjera të ngjashme, selfie-t mund të na detyrojnë të shohim defektet tona si në një pasqyrë zmadhuese. Efekti psikologjik negativ i selfie-ve vjen për shkak të filtrave.
Të përdorura gjithnjë e më shpesh, filtrat e fotove mund të nxisin fobi të defekteve fizike, që i detyron njerëzit të shkojnë te kirurgu plastik.
Shqetësimi që ngre përdorimi i aplikacioneve që na i bëjnë fytyrat të përkryera është shfaqur në një artikull në revistën shkencore “Jama Facial Plastic Surgery”. Çrregullimi dismorfik i trupit ose dismorfofobia, është një fobi që prek një në 50 persona në SHBA.
Personat që kanë këtë çrregullim obsesiv kompulsiv janë të obsesionuar edhe me parregullsitë më të vogla apo edhe inekzistente të pamjes së tyre. Disa prej tyre kanë kryer ndërhyrje të përsëritura dhe të panevojshme.
Mes shkaqeve që çojnë në këtë çrregullim janë gjenetika, përpunimi i gabuar i neurotransmetuesit serotoninë por edhe traumat e fëmijërisë. Tashmë në listën e shkaqeve është edhe selfie dhe aplikacionet zbukuruese.



