Detaje nga operacioni “Metalurgjiku” në Elbasan/ Duka: Ndotje masive mjedisore dhe shkelje të rënda ligjore (VIDEO)

Detaje nga operacioni “Metalurgjiku” në Elbasan/ Duka: Ndotje masive mjedisore dhe shkelje të rënda ligjore (VIDEO)

Policia e Elbasanit ka arrestuar 16 persona shqiptarë dhe të huaj dhe ka shpallur në kërkim 8 të tjerë, në kuadër të operacionit të koduar “Metalurgjiku”, i cili synon goditjen e krimeve kundër mjedisit.

Korrespondentja e MCN nga Elbasani, Duka, tha për “MCN Live” se operacioni kishte në fokus subjekte që prej kohësh kishin shkaktuar ndotje masive mjedisore dhe kishin kryer shkelje të rënda të legjislacionit në zonën e Elbasanit.

Si rezultat i operacionit, janë marrë masa ndaj 16 shtetasve, mes të cilëve 9 shtetas të huaj, të cilët mbanin funksione drejtuese, teknike dhe operacionale në dy subjekte tregtare që ushtronin aktivitet në zonën e ish-Metalurgjikut, në Bradashesh.

Në pranga kanë rënë administratorë, drejtorë prodhimi, inxhinierë, përgjegjës turni, operatorë furre dhe punëtorë, të dyshuar për ushtrimin e një aktiviteti të paligjshëm në përpunimin e mbetjeve dhe prodhimin e ferrokromit, në shkelje të hapur të ligjeve mjedisore.

Gjithashtu, dy subjekte tregtare janë proceduar penalisht për aktivitet të paligjshëm që ka shkaktuar ndotje serioze të ajrit, ujërave dhe tokës.

Mes të arrestuarve është edhe kryeinspektori i Mjedisit pranë Bashkisë së Elbasanit, i cili dyshohet për shpërdorim detyre. Ndërkohë, 8 persona të shpallur në kërkim janë aksionerë të firmave të përfshira në aktivitetin e paligjshëm.

Sipas raportimeve, ndotja ishte denoncuar prej kohësh nga banorët e zonës së Bradasheshit, si dhe nga përfaqësues të opozitës, të cilët kishin ngritur vazhdimisht shqetësimin për cilësinë e ajrit dhe ndikimin e saj në shëndetin e banorëve të Elbasanit.

Megjithëse Inspektorati i Mjedisit kishte për detyrë kontrollin e subjekteve që operojnë në zonën industriale, në aktet zyrtare nuk janë evidentuar apo raportuar shkelje për ndotje mjedisore.

Burime bëjnë me dije se grupe hetimore nga Tirana iu bashkuan hetimeve dhe ndërhynë në dy kompanitë në zonën e ish-Metalurgjikut, ku u konstatuan shkelje të rënda dhe një situatë kaotike mjedisore.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy