Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, takohen sot në Bruksel, në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi, takim ky i pari i nivelit të lartë, pas atij të Ohrit ku u dakorduan për aneksin e zbatimit të Marrëveshjes.
Në njoftimin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë është bërë e ditur se përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell me mbështetjen e Përfaqësuesit Special të BE-së, Miroslav Lajçak do të zhvillojë një takim të përbashkët me liderët duke filluar nga ora 18:00.
Dështimi për t’i zbatuar ato, do të ketë pasoja, ka paralajmëruar BE-ja.
Zyrtarë të BE-së kanë konfirmuar se në agjendën e takimit të sotëm pritet të jenë dy çështje kryesore: miratimi i Deklaratës për të zhdukurit dhe paraqitja e draftit të parë për themelimin e Asocacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
“Pas këtyre dy temave do të shihet se sa mund të diskutohet edhe për çështje të tjera”, ka thënë zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.
BE-ja i ka shmangur përgjigjet në pyetjet e gazetarëve rreth shkeljes së mundshme të marrëveshjes që ka bërë Serbia, duke votuar kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.
BE-ja vetëm ka përsëritur se palët “duhet të përmbahen nga deklaratat dhe veprimet që keqësojnë situatën dhe atmosferën për përparimin e dialogut“.
“Ne presim që palët të jenë të përkushtuara për t’i zbatuar obligimet”, ka thënë Stano.
Kurti dhe Vuçiç janë takuar për herë të fundit në Ohër, më 19 mars, kur edhe janë pajtuar gojarisht për zbatimin e asaj që njihet si Marrëveshje Bazë, e që duhet të çojë drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.
Por, pas këtij takimi, palët i kanë interpretuar ndryshe-ndryshe detyrimet e tyre, ndërkohë që BE-ja ka theksuar se ato obligohen që t’i zbatojnë të gjitha pikat e marrëveshjes.
Marrëveshja Bazë nuk parasheh njohje të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë, por kërkon prej tyre që të mos e pengojnë njëra-tjetrën në proceset integruese.
Ajo, po ashtu, kërkon nga të dyja palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, i cili ka nisur qysh nga viti 2011.



