
Një aksident i rëndë është regjistruar në orët e para të mëngjesit në qytetin e Durrësit, ku si pasojë e përplasjes së një mjeti tip Benz me një pemë, ka humbur jetën pasagjeri 23-vjeçar i ndodhur në makinë.
Ngjarja ka ndodhur në aksin Plepa-Romanat, rreth orës 05:00 të mëngjesit të sotëm.
Sipas Policisë së Durrësit, drejtuesi i mjetit, një tjetër 23-vjeçar, ka humbur kontrollin dhe është përplasur me një plep.
Për pasojë, pasagjeri në makinë, ka humbur jetën. Ndërkohë, vetë drejtuesi i mjetit, ka marrë dëmtime të shumta dhe është nën kujdesin e mjekëve, në gjendje të rëndë për jetën.
Në vendngjarje është ndodhur edhe grupi hetimor, për të zbardhur rrethanat e plota të ndodhisë.



