Ish-futbollisti Redi Jupi vjen në një rrëfim për fillesat e tij në futboll, familjen, por edhe ekipin aktual të kombëtares.
Në studion e emisionit “Zgjohu me MCN”, ai tha se në fëmijërinë e tij nuk kishte fëmijë që nuk luante futboll dhe se ta që nuk dinin të luanin futboll, luanin basketboll.
Ne luanim gjithë ditën, pas shkolle, te oborri. Kisha luajtur te Pallati i Pionierit, aty kishte struktura të ndryshme që i rekrutonin këta fëmijë që spikasnin në raport me të tjerët.
Në shkollë isha mirë, isha te grupet e fizikës dhe më thanë se do fillosh futbollin. Unë e kisha të projektuar veten që do luaja futboll.
Nuk e kisha menduar se do bëja karrierë, do luaja me kombëtaren. Ishte një ëndërr mbase e çdo fëmije të asaj kohe që të luante me kombëtaren.
Ne si fëmijë kapnim topat anash, kur ishim te ekipet e moshave. Gjë që është si të shikosh sot një ndeshje Champions League, stadiumet ishin plot.
Në pushim të ndeshjes ne fëmijët bëheshim 10 me 10, afronim portat pak më afër dhe ne luanim na shikonin dhe tifozët na shikonin me interes se ne ishim fëmijë të talentuar.
Të gjithë futbollistët e ardhshëm kanë nevojë për një aprovim publik, por ndjekin dhe modelin. Fëmijët sot nuk kanë modele, por nuk kanë dhe turmën që i ndjek.
Kam qenë 19 vjeç kur kam luajtur ndeshjen e parë me kombëtaren, me Maqedoninë. Ku tre nga djemtë që kam pasur në ndeshje, i kam pasur në ekip me Turqinë.
Me ekipin kombëtar kam 23 ndeshje. Momenti më i bukur ka qenë kur jemi shpallur kampion me Dinamon në 2002. Pasi në 1989 ishte shpallur Dinamo kampione për herë të fundit.
Dinamo nga 1989 deri në 2002 i ndërruan emrin, ia bën Olimpik, se konsiderohej klubi i ministrisë së Brendshme dhe në vitin 1999 filloi të ringrihej dalëngadalë.
Fitorja me Dinamon qe një arritje sportive shumë e bukur. Momenti më i vështirë ishte kur lashë futbollin. Shumica e kalojnë këtë moment, por është një ndryshim komplet jete, një jetë tjetër.
Fati im i mirë ishte se ngela brenda fushës, merresha me opinione, televizion, hapa një sektor futbolli. Është komplet sensacion tjetër të qenit jashtë futbollit.
Unë e kam lënë futbollin në vitin 2007. Ndryshon ritmi i gjumit dhe çdo gjë dhe duhet të përshtatesh.
Sa i takon familjes ai shprehet se bashkëshortja e tij është tip sportiv por jo ndjekëse e futbollit dhe se fëmijët edhe pse merren me sport, nuk është janë fansa shumë të mëdhenj të futbollit.
Kur unë shikoja ndeshje radhazi gruaja mërzitej. Ne nuk mbanim televizor të dytë dhe më tej u detyruam të merrnim një aparat tjetër, se unë shihja 4-5 ndeshje prej punës.
Në Tiranë më njihnin si futbollist, por edhe në rrethin tim, se isha djalë tirone. Nuk kishte ndonjë ndikim se isha futbollist.
Nuk kam pasur njohje me vajza që ishin adhuruese dhe fanse të mëdha të futbollit. Fëmijët nuk janë fansa shumë të mëdhenj të futbollit. Janë të shkëputur, kanë një farë distance.
Ne të tre i kemi përfshirë në sport, vajza me volejboll, kurse të dy djemtë e luajnë në aspektin e të marrit me sport. Më i madhi ka diçka më tepër në futboll.
Por nuk dua që të ndikoj aq shumë. Nëse do shikoj që dikush nga këta ka një shkëndijë më tepër, nuk do ia heq mbështetjen. Por deri tani nuk shoh se kanë ndonjë fiksim.
Sa i takon kombëtares aktuale të futbollit, vlerëson ekipin aktual, por shpreh zhgënjim për ndeshjen e luajtur me Anglinë, ndërsa kërkon me ngulm fitore me Serbinë.
Kemi bërë një ndeshje të keqe në Angli, nuk na dha energjitë pozitive. Dhe bëmë një ndeshje me Andorën që nuk është tregues, se është kundërshtar shumë i dobët.
Kur u kualifikuam për Europianin e kaluar kemi bërë një ndeshje të ngjashme me Poloninë, që konsiderohej kundërshtar i fortë, na mundëm 1 me 0 por ne luajtëm mirë.
Asnjë nuk tha si na mundëm, vinim me energji pozitive. Kjo nuk ndodhi me Anglinë, ne nuk bëmë asgjë me Anglinë.
Magjia e futbollit ka një relativitet, që edhe një skuadër e dobët mund të luajë fortë. Gjithsesi fatura është kolektive e ekipit.
Ne kemi një brez shumë të talentuar lojtarësh që luajnë në klube të rëndësishme.
Broja është një talent shumë i madh, Asllani, Gjimshiti, janë disa nivele lojtarësh që më parë kanë qenë të pamundura dhe kemi shumë shpresa.
E kemi të detyruar që të vijmë në ndeshjen me Serbinë, me një përgatitje optimale në atë ndeshje.
Jemi të detyruar që të fitojmë me atë skuadër, edhe pse ajo është një skuadër e fortë dhe ata kanë një perceptim tjetër të futbollit.
Por unë kam shumë shpresa që ata ta vuajnë ndeshjen këtu. Anti-shqiptarizmin ata e kanë kompleks kombëtar.
Duke futur gjithë këto komponentë ne duhet ta fitojmë.



