“Monitorimi” u kodua një operacion i policisë gjatë të cilit u sekuestruan 30 kilogramë kanabis sativa dhe u vunë në pranga katër persona, dy të cilët transportonin me automjet, lëndën narkotike, një shtetas që monitoronte rrugën ku do kalonte automjeti me lëndë narkotike dhe një tjetër që kishte në automjet një armë zjarri kallashnikov për ta shitur bashkë me lëndën narkotike.
Si rezultat i administrimit të shpejtë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore në kuadër të operacionit policor të koduar “Monitorimi”, në aksin rrugor Bënçë-Tepelenë, u kapën në flagrancë dhe u vunë në pranga shtetasit I. D., 54 vjeç dhe F. D., 19 vjeç (babë e bir), banues në fshatin Bënçë, pasi në automjetin me drejtues shtetasin I. D. dhe pasagjer shtetasin F. D., në urën e Bënçës, Tepelenë, u gjetën 3 thasë me rreth 30 kilogramë kanabis sativa.
Gjithashtu, u kap shtetasi M. M., 27 vjeç, që lëvizte me automjetin tip “BMW”, i cili monitoronte rrugën ku kalonte automjeti me lëndën narkotike, me qëllim shmangien e shërbimeve të Policisë.
Në vijim të operacionit, shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale kanë kapur dhe arrestuar edhe shtetasin R. B., 27 vjeç, pasi qarkullonte pas automjetit me lëndë narkotike, me automjet tjetër ku mbante një armë zjarri kallashnikov dhe municion luftarak, me qëllim shitjen.
Veprimet procedurale janë kryer nga specialistët për Hetimin e Narkotikëve të DVP Gjirokastër. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.



