
Pas denoncimit të rastit për vdekjen e një fëmije 3 vjeç pas një ndërhyrje në klinkë dentare, ka reguar edhe mjeku anestezist, Roland Xhaxho. Në një deklaratë për shtyp. Ai shpreh ngushëllimet për familjet e fëmijës, ndërsa deklaron se prej 40 vitesh ka punuar si aneestezist reanimator.
Ai është denoncuar nga prindërit e fëmijës për mjekim të pakujdesshëm, ndërsa mjeku thotë se fëmija kreu në klinikë procedurat dentare nën anestezi të përgjithshme. Për këtë pretendon se ka sqaruar prindërit të cilët kanë firmosur edhe konsensusin. Kjo mënyrë e trajtimit sipas tij u zgjodh si pasojë e një defekti në zemër që kishe djali i mitur.
“Djali ka lindur me defekt në zemër, për të cilin është operuar rreth dy vite më parë. Rekomandimi kryesor në këto raste është evitimi i çdo vatër infeksioni tek këta fëmijë sepse shkaktojnë infeksione të rënda në zemër. Në këtë rast fëmija kishte infeksione të dhëmbëve të cilat në mënyrë absolute duheshin kuruar brenda një seancë në mënyrë që të evitohej përhapja e infeksioneve”, deklaron mjeku.
Procedura ka qenë e zakonshme sqaron mjeku anestezist, rutinë sipas të gjitha protokolleve dhe pa asnjë problematikë të veçantë.
“Djali ka dalë nga klinika i zgjuar në krahët e babait të tij duke kërkuar të takonte vëllain më të vogël. Në shtëpi, djalit i janë dhënë ilaçet e rekomanduara nga ne, kështu që fëmija patjetër që ka qenë i zgjuar”, thotë Xhaxho.
Sipas mjekut, gjendja është komplikuar kur fëmija ka qenë në shtëpi dhe më pas është dërguar në ambientet e QSUT-së nga prindërit.
“Këtë informacion ma bëri të ditur personalisht gjyshi i djalit, i cili erdhi më takoi në klinikë në orën 12:00 të natës. Gjendja e tij shëndetësore u përmirësua ndjeshëm në 24 orët e para, por më pas fatkeqësisht është rënduar, pavarësisht përpjekjeve të pafundme. Unë nga ana profesionale kam bërë çdo gjë të mundur edhe në QSUT bashkë me kolegët e mi, për të shpëtuar jetën e fëmijës”, thekson mjeku në deklaratën e tij.
“Më vjen sinqerisht keq për djalin, më dhemb zemra sidomos për ata prindër që nuk do e kenë më, por nga ana ime profesionale garantoj që ka qenë në maksimum në çdo moment”, përfundon mjeku.
Ndërkohë, familjarët e të miturit kanë deklaruar në polici se pasi mjeku i ka bërë grafinë, u ka thënë prindërve se fëmijës duhet t’i rregullohen 13-14 dhëmbë. E për këtë shkak, është vendosur të ndërhyhet me narkozë totale. Pasi ka përfunduar ndërhyrja, fëmija nuk është zgjuar.



