
Organizata Botërore e Shëndetësisë duket se shqetësim të saj ka si të gjejë emra për llojet e koronavirusit dhe të ndryshojë emrat e mëparshëm, ndërkohë që dhjetë mijë vetë vdesin çdo ditë dhe gjysmë milioni infektohen.
OBSH njoftoi se ka vendosur një sistem të ri për emërimin e varianteve të koronavirusit. Tani e tutje, OBSH-ja tha se do të përdorë shkronjat greke.
Ndryshimet e emërtimeve po bëhen që mos identifikohen më nga njerëzit në mbarë botën se ku është zbuluar virusi dhe të mund të rrisin vigjilencën në atë vend dhe të tjerë përreth tij.
Varianti britanik, për shembull, është etiketuar si Alfa, ai i Afrikës së Jugut si Beta dhe varianti indian si Delta.
Në fillim të këtij muaji, Qeveria e Indisë e kritikoi emërtimin e variantit B.1.617.2 – të zbuluar për herë të parë në Indi, tetorin e kaluar – si “variant indian”, ndonëse OBSH-ja nuk e ka etiketuar kurrë zyrtarisht si të tillë.
“Asnjë vend nuk duhet të stigmatizohet për zbulimin dhe raportimin e varianteve”, tha Maria Van Kerkhove, epidemiologe në OBSH.
Ajo bëri thirrje për një “mbikëqyrje të fuqishme” të varianteve dhe për ndarjen e të dhënave shkencore, që do të ndihmonin në ndalimin e përhapjes së koronavirusit.
Shkronjat greke do t’u referohen edhe varianteve shqetësuese, edhe varianteve të interesit.
Një listë e plotë e emrave është publikuar tashmë në faqen e internetit të OBSH-së.
Van Kerkhove tha megjithatë se shkronjat greke nuk do t’i zëvendësojnë emrat ekzistues shkencorë.
Nëse zyrtarisht identifikohen më shumë se 24 variante, shkronjat greke mbarojnë dhe OBSH-ja do të shpallë një program të ri të emërtimit, tha Van Kerkhove.



