Dosja e Postës së Durrësit/ Karanxha: Hetimet zbuluan grup të strukturuar kriminal! Dolën fakte edhe për fondet e tërmetit

Dosja e Postës së Durrësit/ Karanxha: Hetimet zbuluan grup të strukturuar kriminal! Dolën fakte edhe për fondet e tërmetit

Kalimi i dosjes së vjedhjes dhe abuzimeve në Postën Shqiptare të Durrësit nga Prokuroria e Juridiksionit të Përgjithshëm të Durrësit tek SPAK ka ardhur pasi hetimet disamujore nxorën në pah elemente të një grupi të strukturuar kriminal dhe dyshime për abuzime të tjera, përfshirë fondet e tërmetit.

 

Kështu deklaroi ish-prokurori Ervin Karanxha, i ftuar në emisionin "Fact-Check" në MCN TV, teksa analizoi zhvillimet e fundit të kësaj çështjeje, ku përmendet edhe emri i ish-drejtoreshës së filialit të Durrësit aktualisht deputete dhe zyrtarëve të financës.

 

Sipas Karanxhës, përplasjet mes drejtueses së institucionit dhe vartësve të saj bënë që hetimi të thellohej dhe të dilnin fakte të reja që tejkalonin kompetencën e prokurorisë së rrethit.

 

Nga verifikimi i thënieve të të pandehurit, ose në këtë moment është person nën hetim, rezultuan të dhëna të reja për hetimin, që kemi të bëjmë me një grup të strukturuar kriminal. Ish-drejtoresha e Postës që është me masë sigurimi tha: 'Shiko, këtu ka probleme të tjera'. Do shikoni, tha, se ka problematika dhe fakte që lidhen dhe me tërmetin.

 

Ish-prokurori bëri edhe një paralelizëm mes kësaj dosje dhe çështjes së njohur të letrës së "Nesti Angonit" për kryebashkiakun Erion Veliaj. Ai theksoi se skema të tilla zbulohen kur ka informacione dhe përplasje nga njerëz të brendshëm të sistemit, ashtu siç ndodhi mes drejtueses së postës dhe vartësve të saj.

 

Nesti Angoni është një person i brendshëm pranë Partisë Socialiste, i cili i njihte shumë mirë pasuritë, të dhënat, hyrjet dhe daljet e shtetasit Erion Veliaj. Kallëzimi i Nestit ishte i tillë që e bëra si paralelizëm. Në rastin konkret te Posta kishim debate midis drejtoreshës dhe varësve të saj. Drejtoresha thoshte 'kam fakte të tjera' dhe këto debatet, këto përplasjet, sollën në zgjerimin e hetimit.

 

Karanxha u ndal edhe te pasuria dhe niveli i jetesës së zyrtarëve të përfshirë në këtë institucion. Ai ngriti pikëpyetje të forta mbi mënyrën se si punonjës të administratës me paga mesatare arrijnë të zotërojnë automjete super-luksoze, duke përmendur konkretisht rastin e shefes së financës.

 

Ish-drejtoresha fliste për shefen e financës. Është diçka publike që ka makina të shtrenjta. Duhet t'i bëhet një kontroll ku i gjen këto mjete, sepse punon në postë dhe posta ka një pagë mesatare. Aty bëhej fjalë për 'Benca AMG', fuoristradë G me benzinë, që kushtojnë dhe konsumi i karburantit është i lartë. Nuk ta mban xhepi të marrësh një makinë të tillë, duhet të kesh burime financiare.

 

Sa i përket faktit që Prokuroria e Durrësit nuk e mori në pyetje ish-drejtoreshën e filialit të Durrësit, Etleva Budini, e cila tashmë mban mandatin e deputetes, ish-prokurori sqaroi se ky është një vendim i drejtë. Sipas tij, tashmë që çështja ka kaluar për kompetencë në SPAK, janë prokurorët e posaçëm ata që duhet të vendosin se kur dhe si do ta pyesin atë për të sqaruar rolin e saj.

 

Prokurori i çështjes që e ka çështjen në dorë në SPAK, ka planin e pyetjeve, çfarë pyetjesh do bëjë e të tjerë. Pra është ky që e drejton hetimin dhe momentin e pyetjes e çmon prokurori. Mendoj që roli i gjithkujt, dhe nëse deputetja ka lidhje apo jo me ngjarjet e pretenduara, do sqarohet gjatë hetimit.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy