
Partitë e opozitës do të mbledhin grupet parlamentare për të diskutuar në lidhje me arrestimin e protestuesve që kundërshtan vendosjen e taksës në Rrugën e Kombit. Partia Demokratike do të mbledhë pasdite në orën 18:00 grupin parlamentar, ndërsa më pas do të zhvillohet një mbledhje tjetër me krerët e degëve.
Edhe LSI-ja gjithashtu do të mbledhë grupin e saj parlamentar në orën 18:30.
Edhe pse figura të rëndësishme të PD-së dhe LSI kanë shfaqur qëndrime të njëjta në lidhje me protestën ditët e fundit, dy partitë e opozitës nuk do të zhvillojnë mbledhje të përbashkët të grupeve parlamentare, ndryshe nga një javë më parë.
Një ditë pas protestës, një përfaqësi e opozitës e mbërritur në Kukës nuk u prit mirë nga demokratët atje. Ata shfaqën rezerva në lidhje me praninë e LSI-së në këtë takim, madje patën edhe debate me deputetin demokrat, Edmond Spaho.
Ish-kryetari i degës së PD-së së Kukësit, Ibsen Elezi, foli me tone të ashpra, duke i kujtuar Spahos e protesta është e qytetarëve. “S’kemi nevojë as për ty dhe as as për ata që ke marrë me vete. S’e bëre as ti protestën, as ata, e bëmë ne”, ka thënë ai.



