Gazetarja Valbona Sulçe foli në emisionin “Arnautistan” mbi seksizmin në mediat shqiptare, dhe ndryshimet me amendimet e reja të ligjit të mediave audio-vizive.
Sulçe foli për një axhendë edukative, që përfshin edhe kurrikulat mësimore, kinemanë dhe Kodin e Etikës në media.
Gazetarja tha se ka pasur gra politikane dhe gazetare që janë sulmuar nga komentuesit me gjuhë seksiste.
Jam më shumë e shqetësuar për këtë fenomenin e sulmit të pa principtë ndaj grave dhe vajzave vetëm pse janë gra dhe vajza. Ato që merren me politikë në Shqipëri kanë 10-fishin e sulmeve vetëm pse janë gra dhe vajza. Ke edhe gazetare shumë të mira investigative, që vetëm pse nuk janë në standardin e duhur të bukurisë, sulmohen nga komentuesit, e njëjta gjë edhe me aktivistët. Ka një lidhje të drejtpërdrejtë mes seksizimit dhe dhunës me bazë gjinore. Kjo është një plagë e shoqërisë tonë. Nuk ka një përmirësim të ndjeshëm. Nuk them se ligji do t’i zgjidhë të gjitha, është vetëm një nga mekanizmat.
Ligji për mediat audiovizive përcakton sinoret ku mund të lëvizësh pasi ke marrë një audiencë, që është pasuri kombëtare. Ka penalitete, që nga gjobë, tërheqje vëmendje, deri në ndërprerje transmetimi. Fjala e lirë s’mund të jetë fjalë e ndyrë. Ti mund të jesh i lirë të shprehësh mendimet e tua, duke respektuar disa rregulla të komunikimit publik. Për fat të mirë rrjetet sociale ende s’kanë të njëjtin ndikim sa televizioni. Ka ende shpresë dhe vend për ta bërë median audiovizive në Shqipëri një vend ku luhet me rregulla dhe ku respektohet dinjiteti i njeriut. Në gazetari Kodi i Etikës nuk përmban asnjë paragraf për seksizmin, që mund të jetë hapi i radhës. Sa herë që një grua dhe një vajzë merret me veprimtari publike dhe sulmohet, zgjedhja e parë është që të largohet. Sa më shumë mjedis mbështetës të kemi, aq më të shumta do jenë rastet që të kenë kurajon dhe guximin për të denoncuar.
Ka pasur edhe episode seksizmi të grave ndaj grave. Psh. ti e përdor balerinën që ke në studio dhe i vendos gjeste që nuk i shkojnë. Duhet ndërhyrje në kurrikulat mësimore. Sot flitet për kinema feministë, këtu në Shqipëri s’kemi dëgjuar ndonjë gjë. Në axhendën edukative më e rëndësishme është media, për shkak të konsumit pa limit dhe teknologjisë që e ka bërë të aksesueshme pa kontroll. Ne kemi një shprehje seksi shet, por seksizmi vret!”.



