
Ashtu siç kishte paralajmëruar, ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, ka dalë para mediave. Tahiri tha se ndërsa prokuroria shqiptare ka një vit që heton, ende nuk ka një përfundim.
“Janë angazhuar 7 prokurorë dhe ka kaluar një vit. Letrat i kam dorëzuar në prokurori të hënë. Kam duruar një vit gënjeshtra dhe baltë mbi mua. 1 vit është boll, nuk kam më çfarë të pres. Është hetuar e gjithë jeta ime, nuk kanë lënë gjë pa hetuar. Sa duhet akoma, çfarë duhet akoma?”, tha ai.
Tahiri tha se pavarësisht baltës së hedhur mbi të, e vërteta do të dalë në dritë.
“Më bënë gjyqin në çdo studio e çdo ekran. Qeshja me ca që më njohin e më kanë njohur dhe bënin sikur nuk më njohin. Besimin nuk e kam humbur ende se e vërteta, sado vonë, do të vijë një ditë e të bërtasë më fort se çdo gënjeshtër. Sot boll. Kam diçka që dua ta ndaj me ju, sepse e vërteta nuk rri fshehur sado të mundohet e të sponsorizojë ajo dora e zezë që e filloi me mua. Prokurorët në Itali kërkuan pushimin e hetimeve për mua. Unë sot kam vendimin e gjykatës ku thuhet se pushohen hetimet ndaj meje sepse nuk kam lidhje me asnjë aktivitet të paligjshëm. Ajo që ka rëndësi sot është se jam i vetmi politikan shqiptar që vetëm pse jam përmendur në disa biseda trafikantësh kërkova vetë të hetohem. Unë jam i vetmi që dhashë dorëheqjen si deputet dhe nga çdo aktivitet publik. Nuk do të harroj kurrë kush më qëndroi pranë, kush më ktheu shpinën dhe kush i krijoi këto kohë të vështira”, tha ai.
* * *
Tahiri thyen heshtjen 1-vjeçare: Sot kam disa gjëra për të thënë
Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, ka paralajmëruar një komunikim me publikun sot në orën 11:00. Në një postim në Facebook, Tahiri njofton se do të thyejë heshtjen 1-vjeçare.
“1 vit heshtje, sot kam disa gjëra për të thënë! Shihemi në 11.oo, live këtu”, shkruan Tahiri.
Kjo është hera e dytë brenda pak ditësh që Tahiri paralajmëron një dalje publike. Një javë më parë, ai paralajmëroi një komunikim me mediat, i cili nuk u zhvillua.
Ish-ministri pati njoftuar se do të ndante me mediat disa informacione me rëndësi, por u tërhoq nga ky vendim pas dorëheqjes së pasardhësit të tij në detyrë, ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.



