Avokati Genti Rumano tha në studion e emisionit “FactCheck” se hetimet për koncensionin e “Sterilizimit” janë ende të hapura dhe se deri më tani nuk ka asnjë provë që ta përfshijë klientin e tij, Genc Byrazerin në kryerjen e veprës penale për të cilën ai akuzohet.
Sipas Rumanos, SPAK nuk ka pyetur ende dëshmitarë që sipas kësaj pale në proces janë të rëndësishëm për hetimet.
Hetimet nuk kanë përfunduar ende, hetimet vazhdojnë. Kjo është çështje komplekse, ka të dhëna ende nga ana e prokurorisë, ka dëshmitarë që ende mund të pyeten nga ana e Prokurorisë. S’kemi konstatuar që janë marrë në pyetje dëshmitarë që ne mendojmë se janë shumë të rëndësishëm për konturimin e akuzës nga ana e Prokurorisë dhe që do të ndihmonin edhe çështjen.
Deri në këtë moment për klientin që unë përfaqësoj (Genc Byrazerin) nuk ka asnjë provë që ta përfshijë në kryerjen e veprës penale për të cilën ai akuzohet.
Edhe media, edhe ne si përfaqësues ligjor të kësaj çështje ku jemi përfshirë nuk i njohim ende hetimet që janë kryer nga ana e Prokurorisë. Njohim vetëm 3 vendimmarrje të gjykatës që ka bërë kronologjinë e hetimeve që janë bërë.
Nga gushti deri në nëntor mund të jenë realizuar hetime të ndryshme nga ana prokurorisë të cilat mund të kenë krijuar një bindje që ka dyshime se edhe ministri Ilir Beqaj të jetë i përfshirë në kryerjen e një aktiviteti ose të një vepre penale, për të cilën është ngritur një akuzë nga ana e Prokurorisë për caktimin e masës së sigurimit, por kjo nuk është përfundimtare.
Nuk jemi në përfundimin e hetimeve nga ana e Prokurorisë, e cila do të zbardhë historinë që a janë të vërteta këto dyshime që ngrihen nga ana e SPAK apo jo? Nëse do konstatohet që ka elementë të veprës penale do të ngrihet akuzë.



