Eksperti i ekonomisë, Arjan Kadare, e sheh si të domosdoshme nevojën për eurobondin, i cili u miratua sot nga Kuvendi. Në studion e lajmeve të TvT, përmes një interviste në Skype, Kadare tha se eurobondi me vlerë 650 milionë euro që Parlamenti miratoi sot do të shërbejë për të shlyer pjesën e mbetur nga eurobondi i 2015-s.
“Kjo është mënyrë financimi, borxhi shtohet nga deficiti. Deficiti është borxhi i ri dhe këtë vit do të jetë i lartë. Kjo është karakteristike e borxhit të qeverisë. Qeveria kur merr borxh, gjatë gjithë kohës paguan vetëm interesat. Kur borxhi maturohet, qeveria duhet të paguajë edhe principalin. Pra mori në 2015, një pjesë e shleu gjatë rrugës, përmes borxhit të marrë në 2018. I kanë mbetur edhe 250 milionë euro që duhet t’i shlyejë këtë vit. Për këtë arsye merr eurobondin e ri për të shlyer çfarë i mbetet nga ai i 2015. Të gjitha qeveritë që janë në deficit nuk kanë mundësi të paguajnë borxh, do të marrin borxh për ta shlyer. Pra principali paguhet kur maturohet dhe nëse qeveria është në deficit detyrohet të marrë borxh për të paguar borxh”, tha ai.
Kadare shton se marrja e kësaj huaje në tregjet ndërkombëtare do ta stabilizojë bilancin e pagesave në vend.
“Para 2-3 muajsh ishim shumë më pesimistë për situatën e tregjeve. Tani situata është më e mirë seç dukej. Maqedonia para një jave mori 700 milionë euro përmes një eurobondi. Ajo ka një situatë më të mirë të borxhit dhe e mori eurobondin me një interes më të lartë. Eurobondi është një mënyrë financimi. Duhet marrë, sepse duhen paguar detyrimet, por edhe si një masë për të stabilizuar bilancin e pagesave. Marrja hua e eurove i siguron municion Shqipërisë të stabilizojë bilancin e pagesave”, tha ai.



