
Hetimet vijojnë, pasi mbetet e pazbardhur se çfarë ka ndodhur me aferën më të madhe: inceneratorin e Tiranës.
Prokuroria e Posaçme ka regjistruar procedimin penal për inceneratorët në tetor të vitit 2020.
Që nga ajo kohë e deri më sot, ka përfunduar investigimi dhe gjykimi në Shkallën e Parë për inceneratorin e Elbasanit dhe atë të Fierit.
Asnjë prej këtyre objekteve nuk është në gjendje pune. Në Tiranë inceneratori nuk ekziston.
Të pandehur për abuzime në dhënien e kontratave koncesionare për impiantet e trajtimit të mbetjeve në Elbasan dhe Fier janë ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka, ish-sekretari i përgjithshëm i kësaj ministrie Alqi Bllako dhe zyrtarë të tjerë në nivele drejtuese publike bashkë me administratorë të kompanive koncesionare ‘Albtek Energy’ dhe ‘Integrated Energy Services’.
Në hetimet për inceneratorin e Tiranës, Prokuroria e Posaçme dyshon se kanë kryer veprën e shpërdorimit të detyrës anëtarët e Komisionit të Dhënies së Koncesionit dhe disa zyrtarë të tjerë: Valbona Ballgjini, Pëllumb Abeshi, Erjon Murataj, Sidita Temali, Etleva Kondi, Taulant Tusha dhe Namik Simixhiu. Dy zyrtarët e fundit kanë mbajtur pozicione drejtuese në Bashkinë Tiranë.
Prokuroria e Posaçme dyshon si të implikuar në aferën për të tre inceneratorët dhe dy biznesmenët Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto. Mbi ta rëndon akuza e ‘korrupsionit pasiv të zyrtarëve të lartë’ dhe ‘pastrim i produkteve të veprës penale’.
Në verën e vitit 2022, kreu i SPAK Altin Dumani, kërkoi autorizimin e Kuvendit për të lejuar arrestimin e ish zv/kryeministrit Arben Ahmetaj. Ahmetaj dyshohet si implikuar në këtë skemë në disa gjetje që kanë bërë hetuesit e SPAK:
1. Ka kontribuar në dhënien e koncesionit të inceneratorit të Elbasanit përmes vartësit të tij Zamir Stefani në kundërshtim me kuadrin rregullues duke zbatuar procedurën me negocim pa shpallje.
2. Është shprehur parimisht dakord për projekt-vendimin që miraton procedurën e kontraktimit të shoqërisë “Albtek Energy” me negocim pa shpallje. Nuk ka ngritur shqetësimin se cila është kompania propozuese, aftësia teknike dhe ekonomike e saj.
3. Ishte në dijeni të problematikave të procedurës që evidentonte Ministria e Financave dhe nuk ka vepruar.
4. Ka shprehur dakordësinë për çeljen e investimeve.

Për Fierin Ahmetaj dyshohet se ka bërë këto shkelje:
1. Ka propozuar marrjen e pikëve bonus në garë për një kompani të lidhur me Klodian Zoton, Mirel Mërtirin dhe Sokol Meqemenë.
2. Ka miratuar bonusin në momentin që ortak në atë kompani u bë shoqëria ‘ITS’ me pronar Klodian Zoton.
3. Ka miratuar vijimin e procedurave për koncesionin e inceneratorit të Fierit pas bllokimit që po i bëhej nga ministri i Financave në atë kohë Shkëlqim Cani.
4. Ka forcuar rolin e tij si ministër në miratimin e procedurave koncesionare përmes Agjencisë së Trajtimit të Koncesioneve .
Te Inceneratori i Tiranës roli i Ahmetaj duket i luhatshëm, ku shihet se në lojë hyjnë zyrtarë të Bashkisë Tiranë. SPAK e sheh kështu implikimin e Ahmetaj:
1. Nuk ka penguar procedurën e inceneratorit të Tiranës si ministri ‘gardian’ i buxhetit, pasi është marrë përsipër pjesa më e madhe e financimit të veprës nga kreu i Bashkisë Tiranë Erjon Veliaj.
2. Është shprehur ‘pa koment’ për miratimin e procedurës duke u mjaftuar vetëm me përgjigjen e Veliaj, kur duhet të merrte miratim dhe nga bashkitë e tjera.
3. Ka rënë dakord me një projektvendimin e Ministrisë së Industrisë dhe Energjisë për miratimin e fondeve që u dhanë si mbështetje buxhetore për inceneratorin e Tiranës.
4. Në vitin 2017 ka rritur rolin e Agjencisë së Trajtimit të Koncesioneve që çdo projekt koncesionar të merrte miratim paraprak nga Ministria e Financave, pavarësisht nëse kërkohej ose jo mbështetje buxhetore.
SPAK beson se Ahmetaj është pasuruar në mënyrë të paligjshme duke përfituar nga posti i tij publik dhe ka përfituar një vilë në bregdetin e Palasës, një vilë në Hamallaj në gjirin e Lalzit, 3 apartamente në kryeqytet dhe udhëtime luksoze jashtë vendit, ku është gjetur se nga dyshja Zoto-Mërtiri janë paguar 34 mijë euro. Ai akuzohet për veprat penale të korrupsionit, pastrimit të parave dhe fshehje të pasurisë. Ahmetaj dyshohet se ka ndihmuar në akses në të shkuarën e tij dhe shokun e universitetit Ilir Dedja, i cili më pas ka marrë disa pagesa nga kompania Integrated Energy Bv Spv në Hollandë dhe Integrated Technology Services.
“Shtetasi Ilir Dedja, rezulton të jetë njohje e shtetasit Arben Ahmetaj por edhe e Mirel Mërtirit dhe Klodian Zotos. Rezulton se ka ndjekur studimet bashkë me Ahmetaj në vitin 1991, Fakulteti ‘Hislori -Filologji', degaAnglisht. Ilir Dedja ka patur lidhje me shoqërinë C.G.C sh.p.k ku fillimisht si ortake themeluese, shfaqet Stela Gugallja, bashkëjetuesja e Mirel Mërtirit dhe më pas administrator ka qënë vetë Mërtiri.” thuhet në dosjen e SPAK.
Ilir Dedja ka blerë kompaninë kundrejt vlerës 500 mijë euro, por nuk rezultojnë transaksione bankare pagesash. Ajo që SPAK ka gjetur është transferim i një shume në vlerën 600 mijë euro në llogaritë e tij nga kompania ‘Integrated Technology Services’ në peridhën nëntor 2019- janar 2020. Në korrik 2019 kompania koncesionare e inceneratorit të Tiranës ‘Integrated Energy’ ka kaluar në llogari të firmës të themeluar në Zvicër ‘3-DDD Sëiss Trading’ të z.Dedja 300 mijë euro dhe 140 mijë euro të tjera në janar të vitit 2021.
Dedja rezulton se është një nga personat që ka ndihmuar për të jetuar në Zvicër dhe ka punësuar bashkëjetuesen e Z.Ahmetaj.
“Është kërkuar ndihmë juridike nga autoritetet e drejtësisë të Konfederatës Zviceriane. Nga përgjigja e ardhur, rezulton se Erjola Hoxha banon në Lugano të Zvicrës në Kantonin e Ticinos në një apartament me qira, ku garantor është Ilir Dedja. Nga dita e marrjes se lejes së qëndrimit, është punësuar si konsulente pranë shoqërisë ‘Phronesis Consulting Sagi’ ku sipas përllogaritjeve të tatimit të mbajtur në burim, rezulton e punësuar me një pagë 9200 franga zviceriane në muaj.” thuhet në dosjen e SPAK.
Sipas hetimeve të prokurorisë, një vit pas zhvendosjes së bashkëjetueses në Zvicër, dhe Ahmetaj ka shkuar për të jetuar në atë shtet dhe ka përfituar statusin e azilkërkuesit që prej datës 20 shtator 2023.
“Shtetasi Arben Ahmetai që prej datës 20 shtator 2023 ka statusin e azilkërkuesit në Zvicër dhe është mbajtës i lejës së qëndrimit të vlefshme deri me 9 janar 2024. Ai mban të njëjtën adresë me shtetasen Erjola Hoxha. Në raportin e autoriteve zviceriane theksohet se Ahmetaj ka një identitet të dytë (alias). Në bazë të të dhënave të policisë ka të njëjtin emër dhe mbiemër, por ka datëlindje tjetër.” thuhet në dosjen e SPAK.
Miqësia e Ahmetajt me Mirel Mërtirin, personin që rrinte në hije te afera e inceneratorëve por që dyshohet se është pronar de-facto është e vjetër. Rrugëtimi i tyre, sipas të dhënave që dalin nga hetimet nis rreth vitit 2008. Ahmetaj në vitin 2000 zotëronte kompaninë ‘Hermes’ në fushën e telekomunikacionit dhe në vitin 2003 i kalon aksionet bashkëshortes, e cila i shet ato bashkë kuotat në ‘H-Communication’ për vlerën 745 mijë euro. Në fushën e telekomunikacionit rezulton i përfshirë dhe Mirel Mërtiri prej vitit 2008, i cili ka themeluar kompaninë ‘Fiber Netëork Albania’, ndërsa bashkëjetuesja e tij Stela Gugallja ka hapur firmën ‘It-Tel 2005’ në vitin 2005.
“Gjatë vitit 2008, dokumentohet edhe njohja e personit nën hetim Arben Ahmetaj me personin nën hetim Mirel Mërtiri. Nga të dhënat e administruara nga kompania telefonike ‘Vodafone’, ka rezultuar se numri i telefonit në përdorim nga Mirel Mërtiri ka dymbëdhjetë telefonata me numrin e telefonit të Arben Ahmetaj.” thuhet në dosjen e SPAK.
Klodian Zoto hyn në skenë në vitin 2010, pasi themelon shoqërinë ‘F.M.O’ dhe ‘Integrated Technology Services’ në fushën e shërbimeve, kalibrimit dhe laboratorëve. Në nëntor të vitit 2010 Zoto asiston në lidhjen e një kontrate të kompanive të Mirel Mërtirit dhe Gerian Kukës me dy firma greke ‘Teotec’ dhe ‘Lion Hellas’.
“Teksa shihet që personat nën hetim, Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto, bashkojnë forcat e tyre në bizneset e përbashkëta duke krijuar vijimësi në shoqëri të ndryshme dhe duke qarkulluar të njëjtët persona nga njëra shoqëri në tjetrën. Klodian Zoto, Mirel Mërtiri dhe Stela Gugallja i kalojnë njëri-tjetrit listën e punonjësve në shoqëritë ‘ITS’, ‘FMO’, “Miklo Construction’, ‘CGC’, ‘Artemis Farm’, ‘AÇ Albania Tech’, “Albtek Energy’, duke sjellë kështu një provë tjetër në drejtim të faktit të provuar se të gjitha këto shoqëri menaxhohen nga një dorë.” thuhet në dosjen e SPAK.
SPAK dyshon se Ahmetaj kishte lidhje me dyshen Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto, por në tabulatet telefonike të administruara nga sekuestrimi i telefonit të Ahmetaj dhe kompjuterit të Zotos, duken foto dhe video ku Ahmetaj është në shoqërinë e Mirel Mërtirit duke drekuar.
“Konstatohet se Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto rritin bizneset e tyre, njëkohësisht përforcojnë dhe marrëdhënien me personin nën hetim Arben Ahmetaj. Kjo lidhje e ngushtë shfaqet me Mirel Mërtirin, por ku në dijeni për çdo veprim dhe si bashkëpunëtor me ta është dhe Klodian Zoto.” thuhet në dosjen e SPAK.
Ja çfarë ka deklaruar Arben Ahmetaj para hetuesve të SPAK kur është marrë në pyetje më 22 qershor 2023:
“Kam njohur Mirel Mërtirin diku rreth vitit 2011, por nuk jam shumë i sigurtë. Jam njohur rastësisht, nuk më kujtohet kush na uli në kafe. Kurse personin tjetër Klodian Zoto bashkë me Stela Gugallen, Arenc Myrtezanin dhe Loran Dushën nuk i njoh fare. Klodian Zoton e kam njohur në distancë, thjesht e kam përshëndetur, as jam ulur ndonjëherë me të dhe as kam udhëtuar. Stela Gugallen e njoh si bashkëjetuesen e Mirelit, por e kam takuar shumë rrallë.” thuhet në dëshiminë e Ahmetaj në SPAK.
Komunikimet e Ahmetaj nga tabulatet e zbardhura rezultojnë se kanë qënë me Mërtirin, ndërsa Zoto zbatonte urdhrat e këtij të fundit.
“Janë evidentuar se pranë Qëndrës së Regjistrimit të Biznesit, themelimin e kompanisë së Ujësjellësit të Përmetit e ka bërë Klodian Zoto, i dërguar aty nga Mirel Mërtiri.” thuhet në dosjen e SPAK.
Prokuroria e Posaçme ka marrë në pyetje për aferën e inceneratorëve dhe ish-ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri. Gjiknuri rezulton të ketë ketë qënë i pranishëm në një nga udhëtimet jashtë vendit, nën shoqërinë Arben Ahmetaj, Mirel Mërtirit dhe Klodian Zotos.
“Nuk më kujtohet kush ma ka prezantuar Mirel Mërtirin, ndoshta Arben Ahmetaj ose Klodian Zoto. Kemi qënë një delegacion për negociatat me CEZ për një zgjidhje me pajtim kur ishim në Vjenë. Unë kam qëndruar te Hotel Ambasador një natë bashkë me pjesëtarët e tjerë të delegacionit, Arben Ahmetaj ka qëndruar te Hotel Radison sepse ishte me një shok, unë nuk pranova pasi kisha dhomën time.” thuhet në dëshminë e Gjiknurit në SPAK.
Damian Gjiknuri ka pranuar se ka pritur në zyrë Klodian Zoton pasi kishte shprehur interes për të blerë një sasi gazi te shoqëria publike Albpetrol. Ja si e ka sqaruar Gjiknuri kërkesën dhe marrëdhneien me Zoton në këtë takim.
“Kishte interes sepse dëshironte lëndë djegëse gaz dhe ka ardhur bashkë me Mërtirin në zyrë kur isha ministër. I thashë meqënëse doni gaz, hyni në procedurë tenderi shitje. Albpetroli llogariti formulën sipas standardeve ligjore dhe Klodiani hyri me një kompani, ishte oferta e vetme dhe u shpall fitues. Nuk e lidhi kontratën sepse nuk kishte më interes në mos gaboj. Albpetroli duhet të ketë marrë sigurimin e ofertës, por nuk jam i sigurtë. Kaq është historia e gazit. Ne kishim interes ta shisnim sepse gazi humb kot dhe nuk shpreh interes ndonjë kompani është e vështirë dhe sot.” thuhet në dëshminë e Gjiknurit në SPAK.
Ai ka sqaruar se Zoton e njihte që prej vitit 2011, ku kishte kërkuar ndihmën e tij si një konsulent i mirë për të bërë ndarjen e shoqërive të ujësjellësve nga bashkitë dhe formimin e tyre si entiet më vetë. Në rastin konktret ndihma juridike ishte kërkuar për ujësjellësin e Gramshit.
“Në vitin 2011 u zhvilluan zgjedhjet vendore dhe Partia Socialiste fitoi në Gramsh, Unë isha deputet dhe përgjegjës politik për zonën e Gramshit. Pasi qeveria berisha decentralizoi ujësjellësat dhe kam pyetur Arben Ahmetaj për procedurën pasi ai merrje me çështjet ekonomike në parti. Ai më dha numrin e Klodian Zotos të cilin e takova që të më asistonte çfarë dokumentash duheshin bërë dhe e lidha me përfaqësues në Gramsh.” thuhet në dëshminë e Gjiknurit në SPAK.
Në këtë periudhë nis dhe hyrja në biznesin e shitjeve të matësve inteligjentë kompanive të sapoformuara të ujësjellësit në bashkitë e fituara nga socialistët. Takimet me kryetarët e bashkive facilitoheshin nga Arben Ahemtaj ndërsa vlera e kontratave të përfituara kap shifrën e miliona eurove.
Në hetimet e prokurorëve rezulton se një nga zyrtarët që ka bashkëpunuar në marrëdhënie institucionale me biznesmenët Zoto dhe Mërtiri është Niko Peleshi. Në vitin 2011 Peleshi kishte fituar drehtimin e Bashkisë Korçë dhe zhvillon një takim me Mirel Mërtirin, Klodian Zoton dhe Arben Ahmetaj. Propozimi ishte instalimi i një impianti fotovoltaik që do të prodhonte energji nga dielli dhe do të ulte shpenzimet për energjinë elektrike në ujësjellësin e Korçës. Peleshi rezulton të ketë udhëtuar me Zoton, Mërtirin, Ahmetaj dhe drejtorin e ujësjellësit Petrit Tare drejt Italisë, sipas tij për t’u njohur me teknologjinë që iu prezantua. Sipas hetimeve rezulton se tenderi për impiantin është hapur pas udhëtimit dhe kontrata është fituar nga kompania e Zotos dhe Mërtrit. Një tjetër kontratë me vlerë 3.37 milion euro është fituar më pas nga dyshja për vendosjen e matësave inteligjentë në ujësjellësin e Korçës.
“Mu prezantua një projekt inovator nga biznesmenët Zoto e Mërtiri të cilët më erdhën nga njohja me Arben Ahmetaj. Drejtori i Ujësjellësit të Korçës Petriti më tha të shkonim në Itali të shihnim teknologjinë si funksionon impiantet fotovoltaike.” thuhet në dëshminë e Peleshit në SPAK.
Niko Peleshi ka rrëfuer se nuk e mban mend saktë se kush ka paguar për udhëtimin në Itali, por mendon se shpenzimet janë mbuluar nga Ujësjellësi i Korçës pasi vizita ishte me ftesë të kësaj ndërmarrje.
“Dua të saktësoj se kur kemi qënë në Itali e kemi gjetur aty Arben Ahmetajn në shoqëri të Mirel Mërtirit, Klodian Zotos dhe disa personave të tjerë.” thuhet në dëshminë e Peleshit në SPAK.
Nga ana tjetër ish kreu i ujësjellësit të Korçës, Petrit Tare, ka thënë se shpenzimet e tij janë paguar nga biznesmenët Zoto e Mërtiri, ndërsa për ato të z..Peleshi nuk i kujtohet.
“Biletën time të avionit e ka paguar Klodian Zoto, ndërsa për atë të Niko Peleshit nuk më kujtohet.” thuhet në dëshminë e Tares në SPAK.
Z.Peleshi nuk ka pranuar të ketë përgjegjësi në ndonjë dyshim të mundshëm për paracaktimin e garës.
“Unë nuk kam parë dokumentacion sepse nuk kishte lidhje bashkia dhe kryetari i saj pjesë e procedurës. Këshilli Bashkiak ishte asamble e ortakëve dhe disponon 100% Ujësjellësin.” thuhet në dëshminë e Peleshit në SPAK.
Pas fitimit të kësaj kontrate, e lidhura me dyshen Zoto-Mërtiri kanë përfituar një tender në ujësjellësin e Fierit. Klodian Zoto rezulton të ketë qënë i punësuar si këshilltar në ujësjellësin e Fierit nga drejtuesi në atë kohë Salarjon Tota, sot bashkëshort i ministers së Marrëdhënieve më Parlamentin Elisa Spiropali. Kompania e Zotos fiton një tender për vendosjen e matësve të ujit, por duket se pengesë për ta është bërë kryetari i bashkisë Baftjar Zeqaj. Për këtë vështirësi Mërtiri kërkon disa herë ndihmën e Arben Ahmetaj.
“Mirel Mërtiri: Nga Fieri u bë ndonjë pagesë?
Klodian Zoto: Nuk e di, do të pyes. Ëhstë në mbledhje në Levan. Sa të mbarojë do të merrem me atë punë.
Mirel Mërtiri: Ok, më thuaj sat ë mbarojnë.
Mirel Mërtiri: Ça bëhet o la?
Klodian Zoto: Asgjë akoma.”
Nga ana e tij Zeqaj nuk ka pranuar të ketë patur përgjegjësi në këtë tender, duke ia lënë vendimarrjen kompanisë publike të ujësjellësit të Fierit.
“Kam qënë shumë i tronditur në vitin 2012-2013 kur mësova se ujësjellësi do të merrte kredi për sahatet. Kjo kishte dy arsye, në Bashki kishim marrëdhënie të mirë me bankën gjermane KFË pasi investimi i saj kishte nisur në formë kredie dhe dhe po punohej për rrjetin e brendshëm të ujësjellësit të qytetit. Edhe banka po shqetësohej se po merej krdi tjetër 5 milion euro pa u shlyer kredia e dhënë prej saj. U shqetësova sepse nuk kishte përfunduar rrjeti i ri dhe përse duheshin sahatët në këtë moment? Kredia u morr kur Salarjoni është bërë drejtor i ujësjellësit dhe unë kam qënë kundër kësaj kredie, madje kam dy konferenca për shtyp.” thuhet në dëshminë e Zeqaj në SPAK.
Një tjetër bashki ku fitohen kontrata është ajo e Pogradecit, Sarandës dhe Përmetit, të cilat drejtoheshin nga soacialistët në atë periudhë. SPAK dyshon se dhe krijimin e statutit dhe themelimin e ujësjellësit të Përmetit e ka bërë Klodian Zoto. Rezulton nga komunikimet telefonike se Zoto ka qëndruar një ditë të tërë në Qendrën Kombëtare të Biznesit për të bërë regjistrimin e shoqërisë në pronësi të bashkisë Përmet. Madje dhe në luftën poltike të Këshillave Bashkiakë, Klodian Zoto urdhërohet nga Mërtiri të studiojë kundërshtarët dhe bën llogaritjen e forcave politike në këshilla e borde.
Sipas hetimeve që ka SPAK mbi rolin e Klodian Zotos, duket se këndvështrimi që i japin prokurorët punës të tij, lidhet me një person që punon dhe merr urdhra, e jo një ‘boss’ që është i dyshuar si pronar faktik i një afere që ka përfshirë ministra, kryebashkiakë dhe ka bërë që gjithë shteti të vihet në funksion të pasurimit të tij. Zoto del në hetime si ai që kujdeset për rezervimin e hoteleve, blerjen e biletave, akomodimin e të ftuarve të Mirelit dhe zhvillimin e takimeve që lihen porosi nga Mirel Mërtiri, por jo si pronar faktik.
Por konkluzioni i SPAK në hetimin e inceneratorit të Tiranës e sheh Klodian Zoton si pronarin faktik dhe përfituesin kryesor të dhjetra milionave euro fitime nga këto kontrata.
“Me aktet e administruara sipas prokurorisë, rezulton se shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri janë ‘de facto’ pronarët e shoqërisë hollandeze ‘Geogenix B.V’, të cilët kanë përdorur persona dhe shoqëri të tjera për të fshehur gjurmët.” thuhet në dosjen e SPAK për Inceneratorin e Tiranës.
Duket se fatet dhe interesat e Arben Ahmetaj, Mirel Mërtirit, Klodian Zotos dhe rrethit të drejtuesve të bashkive socialiste janë të njëjta. Në skenë hyjnë e dalin zyrtarë të ndryshëm, që nga ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka, ish-sekretari i Përgjithshëm Alqi Bllako dhe drejtorë e zyrtarë të rëndëisëshm të administratës.
Zoto dhe Mërtiri marrin në emër të kompanive ‘ITS’ dhe ‘Albtek Energy’ dy kontrata, njëra me vlerë 22 milion euro për inceneratorin e Elbasanit dhe një tjetër me vlerë 28 milion euro për atë të Fierit. Marrëdhënia shoqërore e tyre me Arben Ahmetaj duket se lëkundet kur në lojë hyn një kontratë me vlerë të madhe: ajo e inceneratorit të Tiranës. 128 milion euro investim dhe një normë kthimi që kalon vlerën e 300 milion eurove në 30 vjet. Deri më sot buxheti ka paguar 70 milion euro dhe për dherat janë derdhur 60 milion euro, por incenerator nuk ka!
Në disa pjesë të procedurës së dhënies më koncesion të kësaj kontrate duket se Ahmetaj në rolin e ministrit të Financave nuk jep miratimin dhe kërkon daljen në skenë të personit që fshihet pas kërkesës për koncesionin e trajtimit të mbetjeve :kryebashkiakut të Tiranës Erjon Veliaj.
“Me shkresën e datës 23.12.2015 Bashka Tiranë ka njoftuar Ministrinë e Mjedisit se së bashku me Koorporatën Ndërkombëtare Financiare, kanë përfunduar studimin për përmirësimin e shërbimit dhe trajtimit të mbetjeve në qytetin e Tiranës dhe për mundësinë e përfshirjes së sektorit privat nëpërmjet partneritetit publik-privat.” thuhet në dosjen e SPAK.
Në datën 3 mars 2016, dy stafet e ministrisë së Mjedisit dhe Bashkisë Tiranë bien dakord që procedura të ndiqet nga Ministria e Mjedisit. Pavarësisht se studimi i fizibilitetit mungonte dhe është dërguar më 2 shtator 2016, ministri Lefter Koka nis punën për ngritjen e grupit të dhënies me koncesion të inceneratorit të Tiranës më datën 24 gusht 2016. Komisioni i dhënies së koncesionit zhvilloi 5 mbledhje për të diskutuar projektin e inceneratorit, në një kohë që po hasej rezistencë në miratimin e kësaj procedure nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë. Dhe pse fillimisht në këtë ministri, kërkesa për kalimin në duart e privatit të menaxhimit të mbetjeve ishte bërë nga Bashkia Tiranë, as ministri i Financave Shkëlqim Cani dhe as ministri që e pasoi, Arben Ahmetaj nuk po bindeshin. Ahmetaj kërkon argumentime se përse kosto përmes procedurës PPP është më e lirë se me prokurim publik dhe insiston te mënyra se si do të financohet projekti, duke qënë se Ministria e Mjedisit nuk kishte fonde të mjaftueshme.
Pas sqarimeve që dërgon Ministria e Mjedisit, ministritë japin miratimin me përjashtim të asaj të Financave. SPAK në dosjen e hetimeve për ish-zv/kryeministrin Arben Ahmetaj e trajton këtë bllokim, si një luftë force institucionale përballë Zotos dhe Mërtirit, për të cilët Ahmetaj kishte lobuar prej vitesh për të fituar kontrata publike.
“Në të njëjtën ditë që shtetasi Arben Ahmetaj në rolin e ministrit të Zhvillimit Ekonomik kishte paraqitur propozimin pranë Këshillit të Ministrave për të rritur rolin e ATRAKO-s në procedurat e koncesioneve dhe partneriteteve publike-private, shfaqet angazhimi i bashkisë Tiranë në fushën e mbetjeve.” thuhet në dëshminë e Gjiknurit në SPAK.
Pas kërkesave të shumta për sqarime, procedurën për inceneratorin e Tiranës e zhbllokon një letër e kryetarit të Bashkisë Tiranë Erion Veliaj, i cili merr përsipër pagesën e detyrimeve që do të vinin nga koncesioni. Në këtë moment, ministria e Financave dërgon miratimin duke shkruar “Pa koment!”.
Tashmë palët e interesuara që kërkojnë të mërfitojnë nga Inceneratori i Tiranës shtohen. Kompani të huaja në formën e guackave, që nuk u njihen pronarët e vërtetë bëhen pjesë të firmës së regjistruar në Hollandë Geogenix, mëma e firmës koncesionare ‘Integrated Energy’. SPAK ka marrë në pyetje përmes letërporosive dhjetra të huaj që kanë qënë role drejtuese në këtë firmë ose që në letra rezultojnë të jenë aksionerë. Askush nuk merr përsipër fajin dhe duket si një lojë që shmangin përgjegjësinë duke anashkaluar të rrëfejnë të vërtetën.
Në dosjen e inceneratorit të Tiranës SPAK ka provuar se 40 milion euro të ardhura nga kontrata koncesionare kanë kaluar një pjesë në firmën offshore Geogenix dhe një pjesë tjetër janë tërhequr në Tiranë përmes krijimit të kompanive fiktive duke vjedhur të dhënat e identetit të pleqve dhe qytetarëve të ndryshëm. Nuk dihet se ku kanë shkuar miliona euro të tjera që janë marrë nga paratë e depozitimit të dherave në këtë kontratë. Këtë pyetje shtroi në një intervistë që dha disa muaj më parë nga arratia, ish-numri dy i qeverisë, Arben Ahmetaj.
Hetimet e SPAK janë intesifikuar. Erjon Veliajt, kryebashkiakut të Tiranës po i hetohet pasuria, ndërsa disa muaj më parë ai u morr për 7 orë në pyetje nga hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit në lidhje me aferën e Inceneratorit të Tiranës.
Në pyetje për këtë çështje u morr dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë njëkoësisht zv/kryeministre, Belinda Balluku. Prokurorët po hetojnë rolin që ka patur Autoriteti Kontraktor për të monitoruar ecurinë e projektetit dhe verifikuar që në Sharrë nuk ka incenerator, dhënien e pagesave nga qeveria përmes Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, situacionet ku janë bazuar këto pagesa dhe justifikimin e urdhër -shpenzimeve. Një tjetër pikë që institucioni i Bashkisë Tiranë dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë janë përplasuar, është ajo e funksionimit të Njësisë së Menaxhimit të Projektit. Pas ssekuestrimit të kompanisë koncesionare të inceneneratorit të Tiranës nga SPAK dhe sabotimit të anëtarëve në njësinë e menaxhimit të projektiti, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ndaloi subvencionin që dërgonte për trajtimin e mbetjeve në njësinë vendore Tiranë, çka detyroi që Veliaj të ndryshojë buxhetin për të paguar tarifën për koncesionarin.
Sot inceneratori i Tiranës është i bllokuar nga Prokuroria e Posaçme, por pagesat vazhdojnë. Shuma që do të paguajnë qytetarët e Tiranës këtë vit është 11.8 milion euro për firmën koncesionare Integrated Energy. Këto para nuk dihet se ku shkojnë dhe si ndahen , ndërsa gardiani i vetëm është administratori i caktuar nga shteti që njëjkohësisht ka nën mbikëqyrje dhe kompani të tjera të sekuestruara. Rrjedhjen e parave publike për afera të tilla, e ndalon vetëm fundi i hetimeve, i konfirmuar nga një vendim i Gjykatës së Apelit. Derisa të vijë ajo ditë, duket se miliona euro të tjera do të shpenzohen. Prokuroria ka zgjatur dhe me 3 muaj afatin e hetimeve, të cilat nuk dihet se sa lart e larg do të shkojnë për të hulumtuar gjurmët e parave.



