6.8 miliardë euro është paketa e ndihmës që qeveria greke ka akorduar për mbështetjen financiare të biznesit dhe tw punësuarve.
Ky fond do të plotësojë nevojat e rreth 1.7 milionë të punësuarve, 700 mijë të vetëpunësuarve dhe afro 800 mijë bizneseve.
Qëllimi i qeverisë është të mbajë funksionale mijëra biznese që prej dy javësh kanë vetëm shpenzime, por jo të ardhura. Plani gjithëpërfshirës synon të stimulojë ekonominë greke për muajin në prill për të kompensuar pasojat e situatës.
Më konkretisht, plani parashikon që punonjësit të marrin një shtesë prej 800 eurosh për këtë periudhë. Kjo ndihmë nuk do të taksohet. Kontributet e sigurimeve për pagën nominale do të mbulohen nga qeveria për 45 ditë.
Ministri i Financave, Christos Staikouras, tha se qeveria është duke zbatuar politika për të mbështetur ekonominë, në një moment ku nevojitet qetësi dhe realizëm.
"Dëmi për ekonominë do të jetë i madh, por i përkohshëm. Ne po e mbështesim shoqërinë me një sens drejtësise, pasi po e shpërndajmë barrën përmes një kontributi më të madh shtetëror, duke respektuar sakrificat e jashtëzakonshme të shoqërisë vitet e fundit".
Lidhur me biznesin, qeveria vendosi të të pezullojë pagesën e TVSH-së dhe të bëjë 25% zbritje për këstet e taksave të muajit prill nëse ato paguhen me kohë. Parakusht për të përfituar nga paketa e ndihmës është ruajtja e vendeve ekzistuese të punës.
Punonjësit në spitale dhe qendrat shëndetësore do të marrin ndihmë urgjente deri më 10 prill. Bankat nga ana tjetër do ta bëjnë më të lehtë ripagimin e kredive me këste.
Ministri Staikouras thotë se do të vendoset një buxhet shtesë prej 5 miliardë eurosh për të zbatuar masat e mbrojtjes së shëndetit publik.



