
Kryeprokurori Olsian Çela po prezanton para KLP-së punën e një viti të bërë nga institucioni i Prokurorisë së Përgjithshme.
Gjatë fjalës së tij, Çela tha se 2023 ka qenë një vit sfidues, duke shtuar se janë arritur një sërë objektivash.
Ka qenë një vit sfidues për Prokurorinë e Juridiksionit të Përgjithshëm për shkak të çështjeve administrative dhe procedurale që lidheshin me zbatimin e hartës së re gjyqësore dhe uljes së numrit të prokurorëve. Profesionalizimi dhe bashkëpunimi ndërmjet institucioneve dhanë rezultate.
Përgjatë 2023 janë arritur një sërë objektivash në sajë edhe të masave administrative siç janë miratimi i udhëzimeve dhe planeve të veprimit.
Duke njohur problematikat lidhur me infrastrukturën e pamjaftueshme janë planifikuar disa masa, që për realizimin e tyre kërkohet një bashkëpunim ndërinstitucional. Në Prokurorinë e Dibrës kanë vijuar punimet për shtimin e një kati ndërtese. Për Prokurorinë e Fierit po bëhen përpjekje për gjetjen e një godine.
Gjatë fjalës së tij, Çela u ndal edhe tek numri i ulët i prokurorëve.
Në 2023 numri faktik i prokurorëve nën juridiksionin e Prokurorisë së Përgjithshme ka qenë 198, përfshirë këtu edhe emërimet e 26 magjistratëve të rinj në korrik të vitit të shkuar. Ky tregues evidenton strukturën faktike me 62% të prokurorëve, kundrejt numrit organik të 321 prokurorësh në total dhe mungesën e 38% të numrit të prokurorëve. Në këtë këndvështrim, gjendja e numrit faktik të prokurorëve sipas niveleve të prokurorive ka qenë 177 prokurorë në Prokuroritë pranë Gjykatave të Shkallës së Parë, ose 101 prokurorë më pak krahasuar me numrin organik. 10 prokurorë pranë Gjykatës së Apelit, dhe 11 prokurorë në Prokurorinë e Përgjithshme.



