
Fill pas burgosjes së deputetit Ervin Salianji, Partia Demokratike do të mbledhë sot Këshillin Kombëtar, për të miratuar nisjen e protestave në të gjithë vendin.
Mbledhja e Këshillit do të nisë në orën 18.00 dhe në këtë mbledhje pritet të miratohet data 6 tetor si datën e nisjes së protestave, protesta që sipas opozitës nuk do te ndalojnë deri në largimin e kryeministrit Edi Rama dhe ngritjen e një qeverie teknike që do të çojë vendin drejt zgjedhjeve parlamentare.
Prej javësh opozita kishte paralajmëruar se do të radikalizonte aksionin kundër kryeministrit Edi Rama, por arrestimi i Ervin Salianjit e përshpejtoi nisjen e protestave.
Aksioni i opozitës me protesta në rruge pritet të shoqërohet edhe me protesta në parlament, pasi deputetët kanë vendosur që të mos lejojnë zhvillimin normal të mbledhjeve të kuvendit.



