
Psikologu Edmond Dragoti analizoi në studion e emisionit “Arnautistan” shkaqet që çojnë në dhunë në familje. Duke e parë individin në këndvështrimin social, Dragoti tha se ndryshimet që ka pësuar vetë shoqëria në 30 vitet e fundit reflektohen edhe te marrëdhëniet që ai krijon me të tjerët. Dragoti e cilësoi kafshëror rastin e dhunimit të 6-vjeçares në Kamëz.
Në rastin konkret, një sjellje e tillë kafshërore ndaj fëmijës është njësoj sikur të vrasësh veten dhe të ardhmen tënde. Është injoranca e babait, një mungesë totale kulture. Një njeri i kulturuar është në gjendje të kontrollojë emocionet. Së dyti, është mosha e re dhe mungesa e një përvoje për të krijuar përgjegjësinë e mjaftueshme sociale. Mesa duket, brezi i ri piqet shumë vonë. Sot janë shtuar të gjithë kufijtë moshorë. Lindjet e para p.sh. janë shtyrë te të 30-at. Edhe koncepti i martesës është zbehur në brezin e ri dhe është shtyrë. Kjo e bën shoqërinë të riskuar. Që nga fakti që në mosha të rritura, pas të 30-ave, është e vështirë të riprodhohesh dhe deri te lëvizshmëria, emigracioni, që krijon një lloj pasigurie në vendet ku mbërrijnë. Dhe kjo pasiguri e shtyn kohën e marrjes së këtyre vendimeve. Në rastin tonë që lëvizjet janë masive, gjejnë një mjedis të ri, anonim. Dhe kjo e bën individin më pak të përgjegjshëm. Në rrethina ku ka nga Jugu e Veriu dhe nuk ekziston komuniteti solid si ai që kanë zonat rurale, kur të imponohet opinioni i fshatit.



