Arkeologët njoftuan zbulimin e një qyteti të lashtë në provincën Barranca, në Perunë veriore.
Qyteti 3500-vjeçar i Penico-s besohet se ka funksionuar si një qendër tregtare që lidhte komunitetet e hershme bregdetare të Paqësorit me malësitë e Andeve dhe ultësirat e Amazonës.
I ndërtuar rreth 200 kilometra nga Lima, vendi është 600 metra mbi nivelin e detit dhe besohet se është themeluar midis viteve 1800 dhe 1500 para Krishtit, afërsisht në të njëjtën kohë kur qytetërimet e para po lulëzonin në Lindjen e Mesme dhe Azi.
Sipas studiuesve, ky zbulim pritet të zgjerojë njohuritë e tyre për qytetërimin më të vjetër në Amerikë, Caral.
Imazhet e bëra me dron të publikuara nga studiuesit tregojnë një strukturë rrethore në majë të një kodre në qendër të qytetit, të rrethuar nga rrënojat e ndërtesave prej guri.
Pas tetë vitesh kërkimesh në vend, u zbuluan 18 ndërtesa, përfshirë tempuj dhe banesa.
Në ndërtesat e vendit, studiuesit zbuluan objekte rituale, skulptura balte të figurave njerëzore dhe shtazore, si dhe gjerdan të bërë me rruaza dhe guaska.
Penico ndodhet pranë vendit ku u themelua Caral, qytetërimi më i vjetër i njohur në Amerikë, 5000 vjet më parë, rreth vitit 3000 para Krishtit, në Luginën Supe të Perusë.
Caral ka 32 monumente, duke përfshirë struktura të mëdha piramidale, bujqësi të sofistikuar të ujitur dhe vendbanime urbane. Besohet se është zhvilluar në mënyrë të pavarur nga qytetërime të tjera të hershme të ngjashme në Indi, Egjipt, Sumeri dhe Kinë.
Zbulimi i Penico-s është i rëndësishëm për të kuptuar se çfarë i ndodhi kulturës Caral pasi ajo u shkatërrua nga ndryshimet klimatike, vëren Dr. Ruth Sadie, arkeologe kryesore në kërkimet e fundit në Penico dhe gërmimet e Caral në vitet 1990.
Komuniteti Penico ishte në një pozicion strategjik për tregti, për shkëmbime me komunitete nga bregdeti, malësitë dhe xhungla.



