Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken u tha udhëheqësve izraelite se “duhet bërë shumë më tepër” për krizën humanitare në Gaza, duke paralajmëruar me pasoja të mundshme nëse nuk ndërmerren këto veprime.
Të martën, Blinken u takua me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, ministrin e Mbrojtjes Yoav Gallant, ministrin e Çështjeve Strategjike Ron Dermer dhe zyrtarë të lartë ushtarakë në një seri takimesh në Jerusalem dhe Tel Aviv.
Takimet janë pjesë e një turneu rajonal që Uashingtoni e sheh si një shans për të “ringjallur” diplomacinë pas vrasjes nga Izraeli të liderit të Hamasit, Yahya Sinwar në Gaza javën e kaluar.
Paralajmërimi i Blinken për ndihmën humanitare vjen pas letrës së tij të dërguar javën e kaluar, të bashkë-nënshkruar nga Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Lloyd Austin, i cili i dha qeverisë izraelite 30 ditë për të rritur ndihmat në Rripin verior të Gazës ose rrezikon të ndërpritet njëfarë ndihme ushtarake.
Blinken gjithashtu i bëri presion udhëheqjes izraelite mbi raportet se ushtria e saj ka zbatuar të ashtuquajturin “plan të gjeneralëve” në Gazën veriore, një taktikë e përshkruar si zhvendosje masive të civilëve, një taktikë dorëzimi ose urie.



