
Prokuroria dhe Policia e Elbasanit kanë zhvilluar një operacion të gjerë kontrollesh në orët e para të mëngjesit të së hënës, në kuadër të hetimeve për inceneratorin e qytetit.
Sipas korrespondentes së "MCN Live", nga Elbasani, Entela Duka, veprimet janë realizuar në bazë të një vendimi të Gjykatës së Elbasanit, ku janë ushtruar kontrolle në 14 banesa të personave të dyshuar për lidhje me këtë çështje.
Operacioni është pjesë e procedimit penal nr. 1417 të vitit 2024, që fillimisht është regjistruar për veprën penale të "zjarrvënies", pasi fusha e mbetjeve urbane në Elbasan u përfshi nga flakët në vitin 2024.
Burime jozyrtare bëjnë me dije se kontrolle janë ushtruar gjithashtu edhe në banesën e administratorit të kompanisë publike të landfillit "Eco-Elb", Leli Kaja.
Poashtu janë ushtruar kontrolle në shtëpitë e shtatë drejtuesve teknik te secilës bashki dhe mbikëqyrësit e kontratës.
Gjatë hetimeve të mëtejshme, Prokuroria ka identifikuar elementë të mundshëm të shpërdorimit të detyrës, duke zgjeruar kështu objektin dhe natyrën e hetimeve. Pjesë e hetimeve është edhe zjarri që shpërtheu më 1 korrik të këtij viti.
Operacioni ka përfshirë të gjithë qarkun e Elbasanit, dhe kontrollet kanë pasur si qëllim mbledhjen e provave të reja dhe ndriçimin e plotë të veprimtarive të dyshimta që lidhen me ndërtimin, funksionimin dhe administrimin e inceneratorit.



