
Ish-ministri i Jashtëm Paskal Milo tha në studion e lajmeve të MCN Tv se vizita e Cameron përveçse shërben për të falënderuar qeverinë shqiptare për uljen e numrit të emigrantëve ilegalë, ndodhi edhe për shkak se Britania e Madhe kërkon të jetë më e pranishme në rajon.
Vizita e Cameron është ngjarje e rëndësishme politike dhe diplomatike për Shqipërinë se ka shumë kohë që një ministër britanik nuk ka qenë në Shqipëri dhe ardhja e Cameron është një mesazh pozitiv. Ka arsyet e veta pse ndodhi.
Në radhë të parë mendoj që ka qenë premtim i qeverisë britanike që në momentin që do të ulet kalimi ilegal për në Britani dhe sipas deklaratave ka rënë 90% trafikimi ilegal, kjo vizitë shërben për ta falënderuar. Vizita shërben si bonus për qeverinë që më në fund një problem shqetësues nuk ekziston më.
Problemet e emigracioni ilegal në Europë janë akute. Se në rast se janë zgjidhur në Shqipëri janë në vendet fqinje, ku emigrantë nga Azia e Afrika po vërshojnë dhe Shqipëria do të shërbejë si bazë mbështetëse e politikës italiane për të përballuar këtë fluks të madh. Kjo gjë prap shqetëson Britaninë pasi këta njerëz që qarkullojnë në Europë kanë si qëllim të shkojnë në Britani. Është problem europian dhe Britania është e interesuar të përballohet në shkallë europiane dhe jo vetëm ajo.
Ka dhe një arsye e tretë, që ishte një angazhim i ri britanik në Ballkanin Perëndimor. Britania ka reflektuar dhe kërkon të jetë më e pranishme me problematikën europiane. Dalja e saj nga BE është perceptuar nga mënyra më të ndryshmet. Kjo është një përpjekje për t’i dhënë dimensione të reja politikës britanike në një rajon që është shumë delikat apo tensionet janë rritur dhe Britania kërkon të jetë më e pranishme. Dhe jo vetëm përmes deklaratave politike, si një nga anëtarët më të fuqishme të NATO, por me një angazhim konkret për të financuar një hekurudhë të karakterit strategjik, siç është ajo Durrës-Prishtinë.
Cameron erdhi këtu duke mos harruar dhe një qëllim tjetër, që avash avash po shkohet drejt zgjedhjeve të ardhshme parlamentare në Britanë e Madhe dhe Cameron është i Partisë Konservatore dhe kjo parti po rivalizohet nga Partia Laburistë që ka ngritje. Çështja e politikës së jashtme do të marrë më shumë peshë dhe dimension në zgjedhjet e ardhshme dhe Cameron si një nga liderët e njohur vjen për të përcaktuar dhe ai dimensionin si ish-kryeministër që do të luajë një rol. Një nga synimet e kësaj vizite ka qenë kjo.



