Në 5-vjetorin e SPAK, kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani tha se kjo strukturë u krijua për të treguar se të gjithë janë të barabartë përpara ligjit dhe askush nuk mund të jetë i privilegjuar prej tij.

Duke folur me shifra Dumani tha: "SPAK ka sekuestruar dhe konfiskuar mbi 182 milionë euro asete, të siguruara përmes mjeteve të paligjshme. Drejtësia nuk njeh anë dhe kahe; nuk ka të paprekshëm nëse ligjet e këtij vendi shkelen. Janë proceduar 61 zyrtarë të lartë për korrupsion, nga të cilët 70% janë dërguar në gjykim. Sa i përket krimit të organizuar, janë proceduar 955 persona nga ku 55% e tyre janë dërguar në gjykim. Në fushën e terrorizmit, janë proceduar 29 persona nga ku 100% e tyre janë dërguar në gjykim."
Po ashtu kreu i SPAK vuri në dukje se janë ndëshkuar zyrtarë të lartë të te gjitha niveleve dhe është treguar treguar se korrupsioni sfidohet, krimi i organizuar vihet përpara përgjegjësisë, dhe askush nuk është mbi ligjin.
“Misioni ynë nuk përfundon me dosjen e radhës. Ne jemi këtu për të garantuar një sistem drejtësie të fortë, ku ligji zbatohet dhe nuk është privilegj për disa e vuajtje për të tjerët. Shpreh mirënjohjen për partnerët tanë ndërkombëtarë, në mënyrë të veçantë Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian, të cilët qëndrojnë krah për krah me ne, duke mundësuar zgjerimin e bashkëpunimit dhe rritjen e shkëmbimit të informacionit për hetimet tona të përbashkëta. Korrupsioni dhe krimi nuk mund të zhduken brenda ditës. Por përballë çdo kërcënimi dhe vështirësie, ne qëndrojmë të bashkuar, me një integritet të palëkundur profesional dhe personal”, shtoi ai.
Kreu i SPAK vuri në dukje se “nëse dikush mendon se drejtësia është e njëanshme, gabohet”.



