
Presidenti francez Emanuel Macron ka akuzuar Rusinë se ka vënë në shënjestër Parisin në një fushatë të gjerë dezinformimi.
“Çdo ditë Rusia po nxjerr histori duke thënë se ne nuk kemi mundësi që të organizojmë Lojërat Olimpike Verore. Ne kemi plane alternative për ceremoninë e çeljes së Olimpiadës në korrik, nëse kërcënimet terroriste përshkallëzohen.”, tha Macron.
Qeveria franceze akuzon Kremlinin se kohët e fundit ka shtuar sulmet propagandistike ndaj Francës, duke përdorur llogari të rreme në mediat sociale për të përhapur dezinformata.
Elizeja beson se inteligjenca ruse qëndron pas grafiteve të shfaqura në muret e Parisit me Yllin e Davidit, pas sulmeve të Hamasit më 7 tetor, duke e interpretuar si përpjekje për të nxitur përçarje në Francë
Më herët, rusët kanë hedhur dyshime se shërbimet sekrete franceze mund të kenë qenë të përfshirë në aktin terrorist në sallën e koncerteve Krokus, në Moskë.
“Regjimi i Kievit nuk bën asgjë pa miratimin e mbështetësve të tij në Perëndim. Shpresojmë që shërbimet sekrete franceze të mos jenë përfshirë në të.”, tha ministri i Brendshëm, Sergei Shoigu.
Nga Parisi reagoi presidenti francez Emanuel Macron duke e cilësuar qesharake këtë akuzë.
“Janë akuza me të vërtetë të çuditshme, kërcënuese dhe qesharake. Por nuk ka asgjë të re. Nuk ka asnjë kuptim dhe nuk përputhet fare me realitetin të thuash se Franca ka gisht te sulmi në Moskë dhe se ukrainasit janë pas tij.”, tha Macron.
Pas Sulmit të pak javëve më Moska ka ashpërsuar tonet jo vetëm me Francën por më të gjitha shtetet që i cilëson si përkrahëse të Ukrainës.



