Nxënësit e Kosovës kanë dalë shumë dobët të testin PISA, testi më i rëndësishëm ndërkombëtar për edukimin fillor dhe të mesëm, i mbajtur pak para përfundimit të vitit shkollor që u mbyll në qershor.
Kryeministri Ramush Haradinaj tha sot se rezultatet e këtij testi e turpërojnë arsimin e Kosovës.
“Kemi testin PISA që është shumë keq dhe që na turpëron neve si Kosovë. Kontributin tim do ta jap vetëm t’i përmend disa shkaqe dhe jemi të përkushtuar të ndryshojmë gjendjen”, tha kryeministri Haradinaj.
Ai përmendi disa nga shkaqet e mungesës së cilësisë së arsimit.
"Mësimdhënësit , seleksionimi i tyre është një proces jo aq përmbajtjesor. Nuk janë marrë ata që kanë pasur mesatare më të lartë. Kanë arritur të bëhen mësimdhënës ata që nuk kanë qenë më të mirët. E dyta, programet parashkollore nuk përputhen me parametrat e nevojshme për më tutje. Plan programet janë ende eksperimentale. Të mos flasim për organizimin e infrastrukturës së shkollave. Kemi problem me monitorimin, shkollat tona janë pak të monitoruara. Kemi numër shume të madh të orëve të humbura. Kemi telashe me vlerësim të njohurive, kur jepen vlerësimet në nota standardet kanë vlerësuar se nuk mjaftojnë për epilog. Është mirë për përballje me të vërtetën t’i tregojmë vetes se puna nuk është mirë", tha ai.
Deklarata e Haradinajt erdhi gjatë konferencës ndërkombëtare për PISA 2018 “Të veprojmë së bashku për arsim më të mirë”, organizuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) në bashkëpunim me Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) GmbH, në Prishtinë.



