Të paktën një person është vrarë dhe 19 të tjerë janë plagosur si pasojë e sulmeve të reja me raketa ruse në qytetin portual të Odesa-s në Ukrainë. Guvernatori rajonal Oleg Kiper tha se 14 persona përfunduan të plagosur në spital nga shpërthimet, mes tyre katër fëmijë. Katedralja historike e Shndërrimit u dëmtua rëndë nga sulmet, njoftoi këshilli i qytetit. Moska ka nisur pothuajse sulme të vazhdueshme në Odesan që kur u tërhoq nga marrëveshja historike e grurit të hënën. Administrata ushtarake e Odesës tha se Katedralja e Shpërfytyrimit të Kishës Ortodokse Ukrainase (UOC) e lidhur me Moskën, ishte dëmtuar rëndë. Ndërtesa është kisha ortodokse më e madhe e Odesës e cila u shenjtërua në vitin 1809. Ajo u shkatërrua nga Bashkimi Sovjetik në vitin 1939, përpara se të rindërtohej në 2003. Andriy Palchuk, kryedhjaku i Katedrales, tha se ai ishte personi i parë që mbërriti në vendngjarje. “Shkatërrimi është i madh, gjysma e katedrales mbeti pa çati, shtyllat qendrore dhe themelet u shkatërruan. Të gjitha dritaret dhe llaçi u hodhën jashtë. Ka pasur një zjarr fragmentar, pjesa ku shiten ikona dhe qirinj në kishë mori flakë. Gjithçka ishte në flakë, duke u djegur.” Agjencia kulturore e OKB-së, Unesco, i ka kërkuar vazhdimisht Rusisë që të ndërpresë sulmet në Odesa. Qendra historike e qytetit u përcaktua si Trashëgimi Botërore e rrezikuar nga organizata në fillim të këtij viti, pavarësisht kundërshtimit rus.



